Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se do të ishte “shkëlqyeshëm” nëse guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, do të arrestohej për, siç tha ai, paaftësinë e tij të plotë.
Kjo deklaratë përfaqëson një përshkallëzim të ri në përplasjen gjithnjë e më të thellë midis Shtëpisë së Bardhë dhe drejtuesve të shtetit më të populluar të Amerikës.
Guvernatori Newsom reagoi menjëherë pas deklaratës së Trumpit.
“Presidenti i Shteteve të Bashkuara sapo ka bërë thirrje për arrestimin e guvernatorit në detyrë. Kjo është një ditë që shpresoja të mos e përjetoja kurrë në Amerikë. Nuk më intereson nëse jeni demokrat apo republikan – kjo është një vijë që nuk guxojmë ta kalojmë si komb. Kjo është qartësisht një hap drejt autoritarizmit”, tha Newsom.
Deklarata e Trumpit erdhi në mes të protestave pro-emigracionit në Kaliforni, çka e shtyu atë të vendoste Gardën Kombëtare në këtë shtet.
Revolta nuk po ndalet
Policët në Los Angeles janë sulmuar me gurë, disa prej tyre janë plagosur rëndë.
Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, paralajmëroi një padi kundër Trumpit për, siç tha ai, vendimin e paligjshëm për të vendosur Gardën Kombëtare të Kalifornisë nën kontroll federal në mes të protestave në Los Angeles.
Bonta njoftoi se padia do të dorëzohet sot dhe se ajo do t’i kërkojë gjykatës federale të anullojë “vendimin e paligjshëm” të administratës Trump.
“Trump dhe Hegseth morën në mënyrë të paligjshme kontrollin e 2000 pjesëtarëve të Gardës Kombëtare në orët e para të mëngjesit të së dielës, pa lejen e guvernatorit dhe në kundërshtim me vullnetin e policisë lokale”, deklaroi Bonta.
Ndërkohë, në qendër të Los Angelesit pritet të nisin protesta dhe tubime të reja kundër bastisjeve të emigracionit.
Unioni Amerikan për Liritë Civile (ACLU) po organizon një protestë paqësore, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të bastisjeve të emigracionit. Tubimi po mbahet në bashkëpunim me sindikatën “Service Employees International Union California” (SEIU), e cila po kërkon lirimin urgjent të kryetarit të saj David Huerta, i cili u plagos dhe u arrestua teksa dokumentonte një nga bastisjet të premten.
Njëkohësisht, organizata “Partia për Socializëm dhe Çlirim” po organizon edhe një bojkot shkollor nga nxënësit para ndërtesës federale në qendër të qytetit, si formë proteste ndaj dislokimit të Gardës Kombëtare dhe aktiviteteve të ICE-it.