Kroatët sot bojkotojnë pothuajse gjithçka: Nga dyqanet, restorantet dhe furrat deri te bankat dhe faturat

Në Kroaci, sot do të zhvillohet një bojkot i përgjithshëm i të gjitha dyqaneve, stacioneve të karburantit, restoranteve, bareve, shërbimeve të ushqimit me porosi, bankave dhe shërbimeve bankare, furrave të bukës, pagesës së faturave për shërbimet e telekomunikacionit dhe blerjeve online.

Nga nesër fillon një bojkot shtatëditor i të gjitha dyqaneve të rrjetit Konzum. Platforma “Halo, Inspektor” e bëri këtë njoftim më parë, duke deklaruar se bojkoti do të organizohet për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve bazë ushqimore.

“Sipas vendimit të konsumatorëve, rrjeti i parë tregtar që do të bojkotojmë për shtatë ditë, nga e shtuna 8 shkurt deri të premten 14 shkurt, është Konzum”, thuhet në faqen zyrtare të “Halo, Inspektor” në Facebook.

Në një sondazh të zhvilluar, janë regjistruar gjithsej 211.638 vota. Për bojkotin e Konzumit votuan 31.7% e pjesëmarrësve, ndërsa pas tij renditen Plodine me 29.1% dhe Studenac me 6.87%.

“Lista e rrjeteve tregtare që është krijuar në këtë mënyrë, sipas vullnetit të pjesëmarrësve në sondazh, do të jetë referencë për bojkotet javore të ardhshme,” thuhet më tej në faqen zyrtare.

Ndërkohë, të mërkurën në mbrëmje përfundoi bojkoti njëjavor i tre rrjeteve tregtare – Lidl, Eurospin dhe dm – si dhe i tre produkteve: Coca-Cola dhe pijeve të tjera të gazuara, ujit në shishe dhe detergjentëve për enë.

Kategoritë
Ekonomi