Takimi i Gjuriqit me Radoiçiqin, Stano: Po presim raportin përfundimtar për Banjskën, do të shohim si ta trajtojmë

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se nuk ka pasur shumë punë që është kryer në zbatim, për shkak të qëndrimeve të të dyja palëve Kosovë-Serbi.

“Ne asnjëherë nuk paralajmërojmë agjendat e cilitdo takim të radhës në kuadër të dialogut të Prishtinës dhe Beogradit, qoftë të nivelit të kryenegociatorëve ose të nivelit të lartë. Mund ta them një gjë: fatkeqësisht nuk ka pasur shumë punë që është kryer në zbatim, për shkak të qëndrimeve të të dyja palëve” ka thënë stano në konferencë.

Ndërsa, sa i përket takimit ndërmjet të dyshuarit kryesor për sulmin në Banjskë, Milan Radojçiq, me Marko Gjuriq, ambasador i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Stano ka thënë se nuk iu takon të komentojnë “çdo takim” dhe se po presin një raport përfundimtar zyrtar të hetimeve.

“Nuk na takon neve që ta komentojmë çdo takim të pjesëtarëve të administratës serbe që zhvillojnë me njerëz të ndryshëm. Mendoj se atë që takoni reflekton mbi ju posaçërisht kur takoheni, posaçërisht, me një të dyshuar për vepra kriminale. Por kur aludoni në Banjskë: qëndrimi i BE-së mbetet i pandryshuar: ne po presim një raport përfundimtar zyrtar të hetimeve dhe pastaj do të shohim se si ta trajtojmë përgjegjësinë. Tani për tani nuk kemi parë një raport të tillë këtu në Bruksel”, tha Stano.

Shtoi se prioritet kryesor i BE-së është që palët të fillojnë të zbatojnë, në mirëbesim, atë për të cilën janë përkushtuar.

“Prioritet yni kryesor është që ata të fillojnë të zbatojnë, në mirëbesim, atë për të cilën janë përkushtuar. Pa i diskutuar hapat proceduralë, ajo që është prioritet kryesor është të sigurohemi që zbatimi të nis sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo është ku jemi përqendruar dhe kjo është ajo që mund të komentojmë sa më shumë që të jetë e nevojshme por për procedurat ne nuk do ta bëjmë. E kemi thënë shumë herë gjatë procesit të dialogut, përgatitjet në hapat individual, fazat individuale janë diçka që supozohet se duhet të trajtohet në procesin e punës dhe puna përgjithësisht nuk është bërë dhe nuk mund ta komentojmë çdo ditë”, tha ai.

Për takimin e Gjuriqit me Radojçiqin ka folur dje edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, për të cilin tha “është kriminel që duhet të mbajë përgegjësi”.

“Siç kanë thënë zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane: Serbia duhet të mbajë përgjegjës ata të përfshirë në sulmin e kryer nga paraushtarakët etnikë serbë në Banjska që rezultoi në vdekjen tragjike të një rreshteri të Policisë së Kosovës. Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjska përmes avokatëve të tij. Ai është një kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi. Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për zotin Radojçiq është i njohur. Z. Radoicic është nën sanksionet e qeverisë amerikane për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar transnacional”, ka thënë Hovenier për Express.

Marko Gjuriq po përflitet si mandatar për formimin e qeverisë së re të Serbisë pas zgjedhjeve atje.

Radojçiq i cili e ka pranuar se ka qenë në krye të sulmuesve në Banjskë, ishte ndaluar nga policia serbe më 24 shtator të vitit të kaluar, por pas pak ditëve Gjykata e Lartë në Beograd kishte njoftuar se e ka liruar nga mbajtja një ditë pas marrjes në pyetje. Që nga atëherë, Radojçiq është i lirë në Serbi. Në reagimin e tij për takimin, Gjuriq ka thënë se as nuk e fsheh e as nuk turpërohet dhe se lidhet me “punën që e bën”.

Gjuriq ka thënë po ashtu se publikimi i fotografisë lidhet me kthimin e tij në politikë të përditshme.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi