Deputeti i VV-së, Artan Abrashi, ka folur rreth sulmeve terroriste nga serbët në Banjskë të Zveçanit dhe Listës Srpska, që kanë ndodhur të dielën më 24 shtator në veri. Sipas Abrashit organet e drejtësisë duhet ta kthejnë vendimin përfundimtar se a duhet të shpallet organizatë terroriste kjo listë, raporton Gazeta Blic.
Abrashi thotë se, nëse konstatohet se Lista Srpska ka qenë e lidhur drejtpërdrejt me sulmin terrorist në veri atëherë duhet të shpallet organizatë terroriste.
Ai thekson se, pas këtij sulmi Kosova duhet të bëj kushte për dialog siç është ekstradimi i atyre që kanë ikur të dielën nga Kosova po ashtu heqjen e sanksioneve dhe që të mendohet mirë që nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive.
“Unë mendoj që Kosova tani duhet të mendoj mirë sa i përket dialogut duhet një format tjetër i dialogut sepsa ka ndodh diçka që nuk e ka prit askush një sulm terrorist dhe të diskutohet tani pa kushte mendoj që gabojmë prandaj duhet të bëhen kushte për dialog siç është ekstradimi i atyre që kanë ikur të dielën nga Kosova po ashtu heqjen e sanksioneve dhe që të mendohet mirë që nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive“, deklaroi Abrashi.
Abrashi thotë se është bërë një menaxhim i mirë nga qeveria dhe policia e Kosovës sa i përket sulmeve të dielën në veri dhe shton se policia e Kosovës janë krenaria e Kosovës dhe kanë dëshmuar se e dojnë vendi dhe profesionin
“Po unë mendoj që është bërë një menaxhim i mirë sa i përket të dielën dhe qeveria ka menaxhuar mirë por gjithë krediti ju shkon policisë së Kosovës që me profesionalizëm ka vepruar dhe që është e saktë ajo që 23 vite po investohet në policinë e Kosovës, dhe me të vërtetë janë krenaria e Kosovës dhe kanë dëshmuar se e dojnë vendin, e dojnë profesionin dhe kanë vepruar ashtu siç duhet”, përfundoi Abrashi.














