Kongresmeni amerikan kërkon që PPE-ja t’i ndërpresë lidhjet me partinë e Vuçiçit para zgjedhjeve: “Ata janë radikalë”

Kongresmeni amerikan kërkon që PPE-ja t’i ndërpresë lidhjet me partinë e Vuçiçit para zgjedhjeve: “Ata janë radikalë”

Kongresmeni amerikan Joe Wilson i ka dërguar një letër kryetarit të Partisë Popullore Evropiane (PPE), Manfred Weber, duke i kërkuar që t’ia heqë zyrtarisht Partisë Përparimtare Serbe (SNS) statusin e anëtares së asociuar dhe të ndërpresë çdo lidhje tjetër me të.

“Vuçiçi dhe partia e tij autoritare e korruptuar kundërshtojnë qytetërimin perëndimor dhe nuk duhet të kenë asnjë lidhje me PPE-në. Evropa duhet të ndërgjegjësohet për manipulimin e zgjedhjeve nga regjimi i Vučićit dhe të këmbëngulë për zgjedhje të lira e të ndershme në Serbi”, shkroi Wilson në X.

Në letër, ai thotë se SNS-ja ka treguar prej kohësh se nuk është e përkushtuar ndaj konkurrencës demokratike.

“Është me rëndësi vendimtare që ky vendim të merret para zgjedhjeve parlamentare në Serbi, më 25 tetor 2026, në mënyrë që SNS-ja të mos mund ta përdorë emrin e mirë të PPE-së për të përmirësuar imazhin e saj”, shkroi ai.

Wilson tha se ka respekt të madh për PPE-në dhe për vlerat që ajo përfaqëson në Evropë, por se, sipas tij, SNS-ja nuk i ndan këto vlera.

“Si parti në pushtet në Serbi nën Vuçiçin, ata kanë keqpërdorur vazhdimisht burimet shtetërore dhe shërbimet e sigurisë për të manipuluar zgjedhjet. Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka vlerësuar se zgjedhjet parlamentare të vitit 2023 u zhvilluan në ‘kushte të padrejta’. Vëzhguesit e OSBE-së thanë se partia në pushtet kishte fshirë kufirin mes veprimtarive shtetërore dhe fushatës zgjedhore, ndërsa burimet publike ishin përdorur për qëllime politike. Asnjë nga rekomandimet e tyre nuk është zbatuar dhe gjithçka tregon se Vučići dhe partneri i tij, Rusia, tashmë po punojnë për të manipuluar zgjedhjet e vitit 2026”, shkroi ndër të tjera Wilson.

Ai vlerëson se partia e Vuçiçit i ngjan më së shumti partisë ruse “Rusia e Bashkuar”. Wilson përmendi gjithashtu shembjen e strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona.

Kongresmeni vlerësoi lëvizjen studentore në Serbi, e cila, sipas tij, po përpiqet të rikthejë sundimin e ligjit.

“Kur nuk po e plaçkit vendin, SNS-ja madhëron kriminelë lufte, siç bëri me Ratko Mladićin. Vuçiçi dëshiron të paraqitet si e keqja e domosdoshme përballë mundësisë së ardhjes në pushtet të radikalëve. Por nuk duhet të mashtrohemi: Vuçiçi dhe SNS-ja janë radikalët”, deklaroi Wilson.

Kategoritë
LajmeRajoni
Reklamë: ABE Kosova