Përfaqësuesja e Izraelit në futboll u mund mbrëmë 3:0 nga Irlanda, në një ndeshje që kishte tërhequr vëmendje që para fillimit. Përveç rezultatit, takimi u shoqërua me tensione mes dy ekipeve.
Gjatë ndeshjes, lojtarët izraelitë iu ankuan gjyqtarit Harm Osmers për sjelljen e disa futbollistëve irlandezë. Sipas mediave izraelite, futbollisti i West Bromwich Albionit, Jayson Molumby, dyshohet se ofendoi lojtarët e Izraelit dhe e quajti Eliel Peretzin “majmun”. Kjo shkaktoi një përplasje verbale mes Molumbyt dhe Peretzit, futbollist i Hapoel Be’er Shevës.
Tensionet vazhduan edhe pas përfundimit të ndeshjes. Pak para se kapiteni izraelit Manor Solomon të mbërrinte në zonën e intervistave, mbrojtësi i Evertonit, Jake O’Brien, dyshohet se thirri nga dhoma e zhveshjes:
“Turp të kesh për atë që po bën në Gaza. E merituat humbjen.”
Solomon iu përgjigj: “Dil jashtë, bëhu burrë. Mos fol pas murit. Gjynah që ndeshja nuk u luajt në Izrael; atëherë do ta kuptoje cili është vendi më i mirë në botë.”
Sipas raportimeve, situata rrezikoi të përshkallëzohej, por u qetësua nga punonjësit e sigurisë dhe Shlomi Barzel, drejtues i departamentit të informimit në Federatën Izraelite të Futbollit. “Manor tha atë që mendojmë, pa frikë dhe pa hezitim”, deklaruan më pas përfaqësues të delegacionit izraelit.
Protestat ndaj përfaqësueses izraelite vazhduan edhe gjatë ndeshjes. Të gjithë anëtarët e ekipit irlandez mbanin shirita të zinj në krah. Sipas kanalit izraelit Sports Channel, lojtarët irlandezë ulnin kokën sa herë që pranë tyre kalonin anëtarë të delegacionit izraelit.
Pas takimit, sipas të njëjtit burim, futbollistët izraelitë refuzuan të shkëmbenin fanellat me lojtarët irlandezë. As irlandezët nuk i shkëmbyen fanellat me kundërshtarët, siç ndodh zakonisht pas ndeshjeve ndërkombëtare.
Irlanda fitoi 3:0 ndaj Izraelit. Sipas artikullit, golat u shënuan nga Moylan, Troy Parrott dhe Adam Idah.

