Në Rripin e Gazës ndodhen rreth 61 milionë tonë rrënoja, ndërsa Kombet e Bashkuara vlerësojnë se largimi i tyre mund të zgjasë të paktën shtatë deri në dhjetë vjet dhe të kushtojë miliarda dollarë.
Në këtë mënyrë, largimi i rrënojave të luftës në Gaza mund të shndërrohet në një nga operacionet më të mëdha të pastrimit të këtij lloji në historinë moderne.
Në rrugët e Gazës, ekipet e Kombeve të Bashkuara çdo ditë largojnë mbetjet e objekteve të shkatërruara, gurët dhe materialet e tjera, për të mundësuar sërish kalimin e banorëve, kamionëve me ndihma humanitare dhe ekipeve të shpëtimit.
Ahmed Alyan, inxhinier i OKB-së që punon në ekipin e Programit Botëror të Ushqimit (WFP), përmasat e punës i përshkroi duke thënë se ndihet sikur “po mbajmë një lugë dhe po përpiqemi të zbrazim detin”.
Është larguar më pak se dy për qind e rrënojave
Sipas të dhënave të OKB-së, deri më tani janë larguar rreth 907 mijë tonë rrënoja, ndërsa më shumë se 300 mijë tonë janë ricikluar dhe ripërdorur.
Kjo përbën vetëm rreth 1.5 për qind të sasisë së përgjithshme të rrënojave në Gaza.
“Vlerësimi për sasinë e përgjithshme të rrënojave në Gaza është 61 milionë tonë. Kjo është afërsisht 20 herë më shumë se sasia e rrënojave të krijuara në të gjitha luftërat në mbarë botën gjatë 18 viteve të fundit”, tha Jaco Cilliers, përfaqësues i posaçëm i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) për Palestinën.
Deri më tani janë pastruar rreth 580 kilometra rrugë, duke mundësuar kalimin e kamionëve me ndihma humanitare, ekipeve të ndihmës dhe banorëve.
Megjithatë, puna po zhvillohet në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe të rrezikshme. Nën rrënoja, përveç mbetjeve të objekteve të shkatërruara, ndodhen edhe trupat e të vrarëve dhe mjete shpërthyese të pashpërthyera.
Rrënojat copëtohen dhe ripërdoren
UNDP menaxhon pesë lokacione në të gjithë Gazën, ku rrënojat copëtohen dhe përgatiten për ripërdorim.
Materiali fillimisht seleksionohet për të larguar metalet, shufrat e çelikut dhe materialet e tjera, ndërsa më pas betoni copëtohet në pjesë me madhësinë e një mermeri ose në gurë edhe më të vegjël.
UNDP ka në dispozicion shtatë makineri për copëtimin e rrënojave, ndërsa dy prej tyre janë riparuar gjatë vitit të kaluar nga inxhinierët lokalë në Gaza, pasi për shkak të kufizimeve nuk ishte e mundur të sillej pajisje e re.
Materiali i copëtuar përdoret për riparimin e rrugëve dhe mbushjen e gropave, por edhe për ngritjen e tendave dhe strehimoreve të përkohshme mbi nivelin e ujërave të shiut dhe kanalizimeve.
Nehal Abu Hassan nga WFP tha se cilësia e këtij materiali është më e dobët se ajo e materialeve të zakonshme të ndërtimit, por aktualisht nuk ekziston ndonjë mundësi tjetër.
“Këto materiale nuk mund të krahasohen me materialet natyrore që zakonisht përdoren për ndërtimin e rrugëve. Cilësia e tyre është më e ulët dhe është e vështirë të punohet me to. Por nuk ka alternativë. Këto zgjidhje na i ka imponuar realiteti në të cilin jetojmë”, tha Abu Hassan.
Punimet vështirësohen edhe më shumë nga gjendja e makinerive ekzistuese. Shumica e pajisjeve në Gaza janë të vjetruara, prishen shpesh, ndërsa mungojnë pjesët rezervë, vaji i motorit dhe materialet e tjera të nevojshme për mirëmbajtjen e tyre.
Nën rrënoja mund të ndodhen mijëra trupa
Një problem i veçantë janë mbetjet njerëzore që mund të ndodhen ende nën rrënoja.
Sipas vlerësimeve të cituara nga UNDP, mes 8 mijë dhe 10 mijë trupa mund të jenë ende të varrosur nën rrënoja.
UNDP bashkëpunon me organizata, përfshirë Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, për të identifikuar vendet ku mund të ndodhen mbetje njerëzore dhe për t’i dhënë përparësi gjetjes së tyre gjatë procesit të largimit të rrënojave.
“Po punojmë gjithashtu në procesin mjekoligjor të identifikimit të mbetjeve, për të siguruar që ato të trajtohen në mënyrën e duhur, që të respektohen të drejtat fetare për varrim dhe që familjeve t’u sigurohet dokumentacioni dhe certifikatat e nevojshme. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për familjet në Gaza”, tha Cilliers.
Për shumë familje, rrënojat nuk janë thjesht mbetje ndërtimore.
“Në disa zona, rrënojat për njerëzit nuk përfaqësojnë vetëm mbeturina; ato përfaqësojnë të gjithë jetën dhe kujtimet e tyre. Në disa raste, nën rrënoja mund të ndodhen ende trupa. Për këtë arsye, largimi i tyre është një çështje shumë e ndjeshme për familjet dhe komunitetet”, tha Abu Hassan.
Bombat e pashpërthyera përbëjnë një kërcënim shtesë
Ekipet që punojnë në largimin e rrënojave përballen gjithashtu me rrezik të madh nga mjetet shpërthyese të pashpërthyera.
UNDP dhe WFP bashkëpunojnë me Shërbimin e OKB-së për Veprim ndaj Minave, organizatën britanike Halo Trust dhe organizata të tjera, për të identifikuar para fillimit të punimeve zonat ku mund të ndodhen mjete të pashpërthyera.
Për shkak të kapaciteteve të kufizuara, nuk është e mundur që të gjitha këto mjete të largohen ose të çaktivizohen. Ekipet mund të identifikojnë zonat e rrezikshme dhe t’i shënojnë ato për të mbrojtur punëtorët dhe popullsinë.
Rrezik shtesë paraqesin azbesti dhe materialet e tjera të rrezikshme që ndodhen mes rrënojave, si dhe ndërtesat e dëmtuara që mund të shemben papritur.
Pavarësisht të gjitha përpjekjeve, UNDP paralajmëron se përparimi në fazën e hershme të rindërtimit është i ngadalshëm, kryesisht për shkak të kufizimeve në sjelljen e pajisjeve dhe shërbimeve të nevojshme.

