Gjermania zbulon detaje nga takimi me Lavrovin: “Biseda ishte shumë e vështirë dhe e sinqertë”

Gjermania zbulon detaje nga takimi me Lavrovin: “Biseda ishte shumë e vështirë dhe e sinqertë”

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka treguar detaje nga biseda me homologun rus Sergej Lavrov. Sipas tij, kjo ishte biseda e tyre e parë pas katër vjetësh.

Për shkak të tensioneve mes Perëndimit dhe Moskës, takimi i dy diplomatëve befasoi shumë njerëz. Në një intervistë për televizionin gjerman ARD, Wadephul shpjegoi përse u takuan.

“Arsyeja kryesore ishte përdorimi i fundit i dronëve të armatosur në aeroportin e Leipzigut. Fatmirësisht, nuk ndodhi asgjë serioze. Megjithatë, është kaluar një vijë e kuqe. Doja ta bëja të qartë se Gjermania do të kundërpërgjigjet dhe do të mbrohet”, tha ai.

Wadephul theksoi se qëndrimet e palëve për çështjet kryesore mbeten larg njëra-tjetrës.

“U bënë të qarta dallimet themelore në vlerësimin e luftës. Biseda ishte shumë e vështirë dhe shumë e sinqertë. Megjithatë, besoj se është e drejtë të flasim me njëri-tjetrin”, u shpreh ministri gjerman.

Përveç incidenteve me dronë, ata diskutuan edhe për eksportin e drithërave. Sipas Wadephulit, vendet në zhvillim i kishin kërkuar të bisedonte me Rusinë, pasi nuk po merrnin më furnizime me drithëra nga Rusia ose Ukraina dhe po përballeshin me rrezikun e urisë. Ai tha se nevojitet një armëpushim në rajonin e Detit të Zi që eksportet të rifillojnë.

Ministri gjerman vlerësoi se ndërprerja e kontakteve diplomatike pas sulmit rus ndaj Ukrainës kishte qenë vendimi i duhur. Sipas tij, tani ka ardhur koha që bisedimet të rifillojnë: negociatat me Rusinë nuk duhet t’i lihen vetëm SHBA-së, pasi Gjermania dhe Evropa kanë interesat e tyre. Megjithatë, ai theksoi se ende nuk ka arsye për kthim në marrëdhënie normale.

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova