Aleksandar Vuçiç ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të Serbisë, pas pothuajse nëntë vjetësh e gjysmë në këtë detyrë.
“U jam mirënjohës qytetarëve që dy herë më dhanë besimin e tyre. Sot është dita kur jap dorëheqje”, deklaroi Vuçiç.
Gjatë fjalimit të tij, ai foli për rezultatet e qeverisjes, duke theksuar se ulja e borxhit shtetëror është një nga treguesit e përparimit ekonomik të vendit.
“Kemi 500 mijë të punësuar më shumë se në vitin 2012. Këto janë fakte, rezultate”, tha Vuçiç, duke paraqitur një grafik të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për frymë nga viti 2021 deri më sot.
Ai theksoi gjithashtu zhvillimin e infrastrukturës rrugore në Serbi, veçanërisht ndërtimin e autostradave.
“Këto rrugë lidhin njerëzit dhe krijojnë vende pune. Për këtë i falënderoj qytetarët e Serbisë”, u shpreh ai.
Vuçiç deklaroi se pasardhësi i tij do të duhet të mbrojë interesat kombëtare të Serbisë dhe interesat e popullit serb në Kosovë.
“Secili do të duhet t’i rezistojë heqjes dorë nga Kosova. Do të na duhet të merremi me zhvillimin ekonomik, para së gjithash me inteligjencën artificiale dhe robotikën, në mënyrë që të mos mbetemi prapa”, tha ai.
Duke folur për situatën politike në vend, Vučić deklaroi se disa fakultete janë shndërruar në “shtabe partiake”, prandaj, sipas tij, ka vendosur të kandidojë në zgjedhjet parlamentare.
Vučić e ushtroi detyrën e presidentit të Serbisë për pothuajse dy mandate. Ai u zgjodh për herë të parë në vitin 2017, ndërsa mandatin e dytë e fitoi në vitin 2022.
Kur do të mbahen zgjedhjet presidenciale?
Sipas Ligjit për Presidentin e Serbisë, zgjedhjet e jashtëzakonshme presidenciale shpallen nga kryetari i Kuvendit Popullor dhe duhet të mbahen jo më vonë se tre muaj nga krijimi i rrethanave që kanë shkaktuar përfundimin e parakohshëm të mandatit të presidentit.
Në rast të dorëheqjes së presidentit të Serbisë, detyrën e tij e merr kryetari i Kuvendit Popullor, në këtë rast kryetarja e parlamentit, Ana Brnabiç, për një periudhë jo më të gjatë se tre muaj.
Nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë të paktën 30 dhe jo më shumë se 60 ditë. Dita e votimit duhet të jetë ditë pushimi.
Nëse Vuçiç e paraqet dorëheqjen më 27 shtator, zgjedhjet presidenciale mund të shpallen po atë ditë ose ditën pasuese. Në këtë rast, data e parë e mundshme për votim do të ishte 1 nëntori, ndërsa afati i fundit do të ishte 26 dhjetori.
Duke qenë se zgjedhjet në Serbi zakonisht mbahen të dielave, e diela e fundit kur mund të zhvillohen zgjedhjet presidenciale, sipas këtyre afateve, do të ishte 20 dhjetori.
Pra, zgjedhjet mund të mbahen në cilëndo të diel nga 1 nëntori deri më 20 dhjetor, duke respektuar afatet ligjore për shpalljen e tyre.
Fali 49 persona
Gjatë fjalimit të mbrëmjes nga Presidenca e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pasi njoftoi dorëheqjen, deklaroi se kishte ushtruar për herë të fundit të drejtën e tij për falje.
Sipas tij, ai ka falur gjithsej 49 persona, mes të cilëve edhe 12 persona nga i ashtuquajturi “Grupi i Novi Sadit”.
“Nga 49 personat e falur, 23 janë të lidhur me të gjitha këto ngjarje të tmerrshme që kemi përjetuar gjatë një viti e gjysmë të fundit. Pavarësisht mendimit të një pjese të komisionit, pavarësisht mendimit të shërbimeve të ndryshme të Republikës së Serbisë dhe shërbimeve të sigurisë, mora vendimin të fal 12 persona nga Grupi i Novi Sadit, me në krye Mila Pajiç, ashtu siç vendosa të fal edhe 11 persona që, nga pala tjetër, morën pjesë në incidente kundër pjesëmarrësve në bllokada. Pra, bëhet fjalë për këta 23 persona”, deklaroi Vuçiç.
Ai shtoi se nga gjithsej 23 personat e falur, njeh vetëm emrin e Mila Pajiç.
“Veprova si president i Republikës, duke konsideruar se kjo do të ishte një dorë e shtrirë shtesë ndaj të gjithë atyre që janë sjellë në mënyrë të papërgjegjshme dhe joserioze. Dëshiroja gjithashtu, sepse e kam përjetuar rëndë faktin që një pjesë e të rinjve tanë, pavarësisht se çfarë veprash të rënda kanë kryer…”, tha Vuçiç.
Sipas tij, mes personave të falur janë edhe individë që kanë marrë pjesë në incidente gjatë protestave në Serbi, përkatësisht persona nga palë të ndryshme të përplasjeve politike që kanë karakterizuar periudhën e fundit.

