Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, deklaroi se në luftën në Ukrainë humbin jetën rreth 25 mijë ushtarë në muaj, më shumë sesa humbi Bashkimi Sovjetik gjatë gjithë luftës dhjetëvjeçare në Afganistan.
Duke folur në emër të pesë vendeve nordike, Stubb tha se forcat ruse këtë vit kanë pushtuar rreth 900 kilometra katrorë territor ukrainas, ndërsa Ukraina ka rimarrë rreth 800 kilometra katrorë.
“Pra, vija e kontaktit praktikisht nuk po lëviz”, tha Stubb, duke paralajmëruar se me këtë ritëm Rusisë do t’i duheshin vite për të pushtuar pjesën e mbetur të rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut.
Ai i krahasoi humbjet me luftën sovjetike në Afganistan nga viti 1979 deri më 1989, ku, sipas shifrës që përmendi, humbën jetën rreth 18 mijë ushtarë sovjetikë. Zyrtarët sovjetikë më herët kishin raportuar rreth 15 mijë të vrarë.
“Sipas mendimit tim, kjo është humbje e kotë e jetëve njerëzore. Vazhdimi i kësaj lufte është humbje për të dyja palët”, tha ai.
Presidenti finlandez ngecjen në front ia atribuoi dronëve, sistemeve pa pilot dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme të fushëbetejës.
“Po shohim mjete pa pilot, po shohim zona vdekjeje me gjerësi rreth 20 kilometra ku nuk mund të hyni, sepse me 95 për qind siguri do të shkatërroheni”, tha Stubb.
Ai e akuzoi gjithashtu Rusinë se po sulmon sistematikisht civilët ukrainas, infrastrukturën civile dhe operacionet humanitare me qëllim frikësimin e popullsisë dhe dobësimin e rezistencës.
Stubb bëri thirrje për një armëpushim të pakushtëzuar ose të paktën për marrëveshje të pjesshme lidhur me infrastrukturën energjetike dhe eksportin e drithërave, para se të nisin negociatat për sigurinë, territorin dhe një zgjidhje afatgjatë.
“Duhet të vijë koha kur vrasjet të ndalen”, tha ai.
Disa orë pas takimit, Stubb dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nënshkruan një marrëveshje të re bashkëpunimi për prodhimin e dronëve, transferimin e teknologjisë dhe projektet e përbashkëta industriale.
