Strasburgu në pritje të disa “klikimeve me kompjuter” në Kadastrin e Deçanit për Manastirin

Në prill të vitit të kaluar  kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Europës i kaloi Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate. Para sesionit pranveror të APKE që mbahet gjatë muajit prill, janë shtuar pritjet që të zbatohet vendimi rreth tokës së Manastirit të Deçanit, që aplikimi për anëtarësim të ketë sukses në fazat e ardhshme.

Qeveria e Kosovës ka pranuar që toka t’i jepet Manastirit dhe po pret nga Kadastri në Deçan që të procedojë me regjistrimin e pronës përpara se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës të nis sesionin e saj. Zyrtarë të Qeverisë pritet të bëjnë thirrje publike që kjo të ndodhë.

Zërat që t’i regjistrohen pronat Manastirin të Deçanit janë shtuar ditëve të fundit, përderisa thirrjet nga shtetet e fuqishme në Kosovë të njohura si QUINT këtë kërkesë e kanë përsëritur në mënyrë konstante. ESI, një “think tank” që ka zyra në Berlin, Bruksel dhe Stamboll në një raport që ka publikuar këtë javë thotë se rruga e vetme është implementimi duke  sugjeruar qeveria që ta përdorë krejt autoritetin që ka që prona t’i kalojë Manastirit siç thonë me disa “klikime në kompjuter”.

Komuna e Deçanit ndër vite ka kundërshtuar zbatimin e vendimit të Kushtetueses sepse konsiderojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk ka qenë kurrë e Manastirit.

Derisa në Kosovë kërkohet që të ecet përpara me këtë çështje, në Strasburg raportuesja kryesore për Kosovën, Dora Bakoyannis, ka bërë një ‘notë informuese’ në Komitetin për Çështje Politike të Asamblesë.

Siç merr vesh Gazeta Express kushti i Manastirit të Deçanit mund t’i shërbej Kosovës për të bërë hapin e radhë në fazën e anëtarësimit, ndonëse për anëtarësim final në KiE mund të ketë kërkesa tjera.

Angus Macdonald nga Divizioni për Komunikim i Asamblesë së Përgjithshme të KiE ka folur për Gazetën Express rreth këtyre zhvillimeve lidhur më aplikimin e Kosovës.

“Raportuesja kryesore zonja Bakoyannis ka prezantuar një notë informuese te Komiteti për Çështje Politike të Asamblesë të martën, ku mbajti një shkëmbim pikëpamjesh. Asnjë vendim s’është marrë nga Komiteti dhe nota informuese s’është bërë publike. Mbledhja e radhës e Komitetit do të mbahet gjatë seancës së prillit të Asamblesë (15-19 prill 2024), por rendi i ditës nuk është ende i disponueshëm”.

Cila është procedura e radhës?

Pasi Komiteti për Çështjet Politike të miratojë një projekt-opinion, dy komisione e të tjera (Komisionet për Çështjet Ligjore dhe të Barazisë së Asamblesë) do të japin këndvështrimin e tyre për të. Puna e tre komiteteve më pas debatohet nga Asambleja plenare, duke çuar në miratimin e një Opinioni të Asamblesë për Komitetin e Ministrave të Këshillit të Europës.

Vendimi përfundimtar për aplikimin për anëtarësim të Kosovës merret nga Komiteti i Ministrave.

Zyrtarët komunalë të Deçanit si arsye për kundërshtim thonë se Gjykata Kushtetuese e ka bërë legal vendimin e kriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviq, ish-president i Jugosllavisë, të vitit 1997, me të cilin ai ka vendosur që t’ia dhurojë këtë pronë Manastirit të Deçanit.

Edhe pse aktualisht Qeveria po kërkon që t’i regjistrohet prona Manastirit të Deçanit, krerët e vendit, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë përkrahur qëndrimin e komunës së Deçanit.

Shtetet e Quint-it në Kosovë disa herë i janë drejtuar Qeverisë së Kosovës duke kërkuar zbatimin e Kushtetueses “plotësisht dhe me urgjencë” dhe duke thënë se moszbatimi i saj e pengon direkt procesin e anëtarësimit në Këshill të Europës.

“Zbatimi i sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime për të gjitha qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të nevojshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, duke përfshirë përparimin e mëtejshëm në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Vonesa e mëtejshme është vetëm një pengesë për këtë përparim”, thuhej në një deklaratë të majit të vitit të kaluar.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte marrë vendim në favor të Manastirit të Deçanit më 20 maj 2016.

Sipas një raporti të European Stability Initiative (ESI), ka mbetur vetëm një mënyrë për të adresuar këtë çështje: Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë, me të gjitha instrumentet dhe autoritetin që disponon, që aktgjykimet e vitit 2012 dhe 2016 të zbatohen menjëherë në mënyrë që Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) të ndryshojë të dhënat në regjistrat e saj, me disa klikime kompjuterike, dhe i jep manastirit pronësinë e 20 parcelave të tokës në përputhje me marrëveshjen me UNMIK-un.

“E gjithë kjo është një çështje e brendshme e Kosovës. Deçani është një manastir në Kosovë. Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese janë institucione shtetërore të Kosovës. Zbatimi i vendimeve të tyre është çështje parimore për këdo që respekton kushtetutën e Kosovës. Ky nuk është një koncesion apo diçka për të bërë pazare. Ajo duhet të mbështetet nga një konsensus i gjerë në Kosovë pasi është mbi të gjitha në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Dhe në interes të tyre ka ardhur koha për një “ënin”, “win”, “win” për Prishtinën, Deçanin dhe Strasburgun.

Kategoritë
LajmeVendi