Skandaloze/ Ministria e Infrastrukturës e vë në përdorim alfabetin cilirik

Ministria e Infrastrukturës ka publikuar një dokument në alfabetin cirilik të gjuhës serbe.

“Ćirilica ili latinia” (cirilik apo latinik). Kjo është edhe vetë dilema e qytetarëve se cilin alfabet të përdorin në Serbi. Madje, gjuhëtarët atje kanë shfaqur frikën se alfabeti cirilik është në zhdukje, pasi po përdorët për ditë e më pak.

Ministria e cila udhëhiqet nga ministri në detyrë, Arban Abrashi ka publikuar një dokument në alfabetin cirilik, shkruan lajmi.net.

Meqenëse gjuha serbe është gjuhë zyre në Kosovë dhe duhet të përdorët nga administrata publike, ministria e Infrastrukturës e ka publikuar në tri gjuhët (shqip, serbisht, anglisht) ofertën publike për tenderin “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe rajonale për vitin 2021, 2022, 2023”.

Dokumenti që ka të bëjë me specifikat teknike është publikuar në alfabetin cirilik. Përdorimi i këtij alfabeti është i pazakontë për institucionet publike të Republikës së Kosovës dhe për vetë ministrinë.

Pos këtij dokumenti, për këtë ofertë publike është publikuar edhe dokumenti prej 50 faqeve: “dosja e tenderit”. Ndryshe, prej dokumentit “specifikat teknike”, ky dokument është i hartuar në alfabetin latin të gjuhës serbe, sikur edhe krejt dokumentet tjera deri më tani të kësaj ministrie.

Ministria nuk ka dashur të jap asnjë shpjegim për lajmi.net se pse ky dokument është përpiluar me atë alfabet.

Dihet që nuk ka rregulla të veçanta për përdorimin e cirilikes dhe latinishtes në serbisht. Por, alfabeti cirilik dhe latinishtja kanë disa konotacione të ndryshme që mund të bëjnë diferencimin, kështu që për disa folës të gjuhës serbe, alfabeti cirilik është “serbisht”, dhe alfabeti latin është “ndërkombëtar” ose “kroat”.  Alfabeti cirilik është “pjesë e kulturës dhe traditës”, alfabeti latin është “i papërcaktuar”, ndërsa për disa të tjerë është cirilik “i imponuar” dhe latinisht “praktik”.

Qytetarët serb të Kosovës, e përdorin në administratë dhe në shkolla alfabetin latin. Por, sa i përket jetës së përditshme në Serbi, përdorimi i cirilikes ose latinishtes nga individët është vetëm çështje e zgjedhjes personale, dhe në hapësirën publike rregullat përcaktohen nga Kushtetuta e Republikës së Serbisë dhe Ligji për Përdorimin Zyrtar të Gjuhëve. Fakti është se alfabeti cirilik përdoret gjithnjë e më pak në hapësirën publike dhe në internet, kryesisht për arsye praktike, ndërsa nga ana tjetër, alfabeti cirilik është alfabeti i vetëm në përdorim zyrtar në Qeverinë e Serbisë. /Lajmi.net/

Kategoritë
LajmeVendi