Sabotazhet, sulmet kibernetike e dronët: BE-ja përgatit një lloj “Neni 4” të saj, por në sinkron me NATO-n
Bashkimi Evropian po punon për krijimin e një mekanizmi të ri për t’iu përgjigjur kërcënimeve hibride nga aktet e sabotazhit dhe sulmet kibernetike e deri te inkursionet me dronë.
Megjithatë, ministrat evropianë kanë bërë të qartë se kjo nismë duhet të plotësojë dhe assesi të kopjojë apo dublojë strukturat ekzistuese të NATO-s.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, pas takimit të ministrave të Jashtëm dhe atyre të Mbrojtjes në Bruksel, theksoi se vendet anëtare kërkojnë që protokolli i ri të zbatohet në koordinim të ngushtë me aleancën veriatlantike.
Shumë prej tyre theksuan se ky mekanizëm duhet të jetë plotësisht plotësues me NATO-n. Nuk po krijojmë diçka paralele apo shtesë, por kjo duhet të funksionojë krah për krah”, tha Kallas.
Iniciativa për një “Protokoll Emergjent të Sigurisë” u prezantua fillimisht nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë fjalimit mbi Gjendjen e Bashkimit në shtator, raporton euronews, transmeton Klankosova.tv.
Ky mekanizëm synon t’u mundësojë shteteve anëtare të reagojnë shpejt dhe në mënyrë të koordinuar përballë kërcënimeve që mbeten nën pragun e një sulmi të armatosur konvencional.
Von der Leyen e ka përshkruar këtë si një ekuivalent të “Nenit 4 të NATO-s” i cili u lejon aleatëve konsultime urgjente kur u cenohet siguria apo integriteti territorial, ndryshe nga Neni 5 që garanton mbrojtjen kolektive.
Gjatë takimit në Bruksel, kryediplomatët dhe ministrat e Mbrojtjes diskutuan gjithashtu nevojat urgjente të Kievit për përballimin e sulmeve ajrore ruse.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Evgeniy Khmara, i informoi homologët evropianë përmes një videolidhjeje mbi situatën në fushëbetejë.
Kallas pranoi se mbrojtja ajrore mbetet prioriteti numër një për Ukrainën, e cila ka kërkuar më shumë raketa interceptuese për sistemet “Patriot”.
Furnizimet janë vështirësuar së fundmi edhe për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme, që kanë rënduar rezervat amerikane.
Pavarësisht kërkesave këmbëngulëse, takimi nuk solli zotime të reja konkrete për dërgimin e baterive shtesë “Patriot”.
Vendet si Spanja dhe Greqia, të cilat u përmendën si donatore potenciale, mbeten ngurruese për shkak të nevojave të tyre të sigurisë kombëtare.
Ndërkohë, BE-ja po eksploron rrugë alternative për të shpejtuar blerjen e sistemeve kundërajrore, teksa tashmë ka të miratuar një paketë ndihme prej 6.1 miliardë eurosh për Ukrainën, që përfshin radarë, raketa dhe municione.

