Kryediplomati iranian do të takohet me ndërmjetësuesit në New York për propozimin mbi Hormuzin

Kryediplomati iranian do të takohet me ndërmjetësuesit në New York për propozimin mbi Hormuzin

Araghchi dhe delegacioni iranian, në takimin ku nuk do të marrë pjesë asnjë përfaqësues amerikan, do të shqyrtojnë me ndërmjetësuesit propozimet dhe qëndrimet më të fundit lidhur me situatën aktuale

Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi, pritet të takohet në New York me ndërmjetësuesit për të diskutuar propozimet lidhur me Ngushticën e Hormuzit dhe bisedimet me SHBA-në, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve ISNA, në takim nuk do të marrë pjesë asnjë përfaqësues amerikan.

Sipas ISNA-s, Araghchi dhe delegacioni iranian do të shqyrtojnë me ndërmjetësuesit propozimet dhe qëndrimet më të fundit lidhur me situatën aktuale.

Në fillim të vizitës së tij në New York, Araghchi tha se Irani kishte propozuar rihapjen e ngushticës si pjesë e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, në këmbim të lirimit të fondeve dhe aseteve iraniane, të cilat Teherani thotë se janë ngrirë në mënyrë të paligjshme.

ISNA tha se propozimi iu përcoll palës amerikane përmes ndërmjetësuesve në New York.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se e kishte refuzuar propozimin, duke shtuar se mesazhet vazhdonin të shkëmbeheshin në përpjekje për të rifilluar negociatat, për të hequr bllokadën detare amerikane dhe për të rihapur ngushticën.

I pyetur më herët për përgjigjen e SHBA-së ndaj propozimit shtatëpikësh të Iranit, Araghchi tha: “E pamë reagimin fillestar të presidentit amerikan, por ndërmjetësuesit ende nuk na kanë përcjellë asgjë”.

“Po presim që ndërmjetësuesit të na përcjellin një përgjigje përfundimtare dhe më pas do të vendosim në përputhje me rrethanat”, tha ai.

“Në çdo rast, kushtet tona janë të qarta. Çdo përparim drejt rihapjes së Ngushticës së Hormuzit varet nga përmbushja e këtyre kushteve dhe ne nuk do të tërhiqemi prej tyre”, shtoi ai.

Propozimi i ri paraqet një udhërrëfyes për hapjen e Ngushticës së Hormuzit për kalim normal detar brenda një jave. Ai parashikon që SHBA-ja të lirojë asetet e ngrira iraniane, të heq sanksionet ndaj naftës dhe t’i japë fund bllokadës detare ndaj porteve iraniane. Pas kësaj, rruga ujore strategjike mund të rihapet dhe do të nisnin negociatat për një marrëveshje përfundimtare.

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova