Pas sulmeve të Izraelit ndaj Iranit dhe fillimit të përleshjeve të armatosura, dhjetëra mijëra turistë të huaj kanë mbetur të bllokuar në Izrael. Sipas gazetës izraelite Haaretz, mbyllja e hapësirës ajrore të vendit i ka detyruar shumë persona që duan të largohen nga vendi të nisin udhëtime detare drejt Qeverisë Greke të Qipros së Jugut (GKRY).
Në këtë valë arratisjeje nga zona e konfliktit janë përfshirë si turistë të huaj, ashtu edhe qytetarë izraelitë.
MBYLLJA E HAPËSIRËS AJRORE KA NDIKUAR TE 40 MIJË TURISTË
Në marinën e Herzliyas afër Tel Avivit, shumë persona kanë nisur negociata për të dalë nga vendi me mjete detare. Disa prej tyre janë turistë që duan të kthehen në vendet e tyre, ndërsa të tjerë janë izraelitë që përpiqen të arrijnë tek familjarët jashtë vendit.
Përafërsisht 40 mijë turistë të huaj kanë mbetur të bllokuar në Izrael për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore. Disa kanë nisur udhëtimin drejt GKRY përmes detit, por këto udhëtime janë të kufizuara dhe me kosto shumë të lartë.
Pronaret e jahteve të vegjël në qytete bregdetare si Herzliya, Haifa dhe Ashkelon, transportojnë grupe me jo më shumë se 10 persona.
Kalimet po organizohen përmes grupeve në Facebook dhe për shkak të kërkesës së lartë, çmimet e biletave janë rritur nga disa qindra në mijëra euro.
IZRAELI LEJON VETËM KTHIMIN E SHTETASVE TË VET
Në një raport të mëparshëm të Haaretz, thuhej se qeveria izraelite u ka dhënë udhëzime kompanive ajrore që avionët e evakuimit të përdoren vetëm për kthimin e izraelitëve të bllokuar jashtë vendit – duke mos lejuar që ato të shfrytëzohen nga qytetarë që duan të largohen nga Izraeli.
Raportimet sugjerojnë se midis 100 dhe 200 mijë qytetarë izraelitë kanë mbetur të bllokuar jashtë vendit që prej sulmeve të 13 qershorit.
KONFLIKTI QË NISI ME SULME MASIVE NDAJ IRANIT
Izraeli ndërmori më 13 qershor sulme të gjera ndaj Iranit, duke goditur jo vetëm objektet bërthamore në qytete të ndryshme, por edhe shtabin e lartë ushtarak të vendit.
Në këto sulme humbën jetën Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Iranit, Komandanti i Gardës së Revolucionit, disa komandantë të tjerë të lartë si dhe 9 shkencëtarë bërthamorë. Numri i viktimave civile u raportua në 224.
Në kundërpërgjigje, Irani lëshoi raketa balistike ndaj Izraelit, duke shkaktuar 24 të vdekur dhe mbi 500 të plagosur.
Shumë vende, përfshirë Turqinë, e dënuan ashpër sulmin izraelit.