Sipas raporteve të publikuara nga mediat iraniane, një godinë që dyshohet të jetë selia e shërbimit sekret izraelit Mossad është goditur nga një sulm me raketa. Pamjet e momentit të sulmit janë transmetuar gjithashtu nga mediat shtetërore.
Përplasjet mes Izraelit dhe Iranit hyjnë në ditën e pestë
Konflikti mes Izraelit dhe Iranit vazhdon të përshkallëzohet për të pestën ditë radhazi, me sulme të ndërsjella dhe deklarata kërcënuese nga të dyja palët.
Pas sulmeve fillestare të Izraelit, Irani ka vijuar me goditje të njëpasnjëshme raketore drejt Tel Avivit. Ndërkohë, Izraeli ka pretenduar se ka eliminuar edhe Shefin e ri të Shtabit të Përgjithshëm të Iranit.
IRANI PRETENDON: GODITËM SELINË E MOSSAD-IT
Në një zhvillim të fundit, mediat iraniane raportuan se një objektiv i rëndësishëm izraelit, i identifikuar si seli e Mossad-it, është shënjestruar dhe goditur me raketa.
THIRRJE KOMBETARE PËR PERSONELIN MJEKËSOR
Menjëherë pas këtij sulmi, autoritetet iraniane kanë bërë një thirrje urgjente për mobilizimin e të gjithë mjekëve dhe infermierëve në vend, duke sugjeruar një përgatitje për një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.
IRANI: “NISËM NJË VALË TË FORTË SULMESH ME RAKETA DHE DRONE”
Rreth orës 10:50 me orën lokale, komandanti i lartë iranian Heydari deklaroi:
“Një valë e re sulmesh me qindra drone po shënjestron Izraelin.”
Ndërkohë, Komandanti i Gardës së Revolucionit Islamik shtoi:
“Pak minuta më parë, filluam një valë edhe më të fuqishme raketore ndaj Izraelit.”
Këto zhvillime e shtyjnë konfliktin në një fazë të re dhe shumë më të rrezikshme për stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar.