KF Shkëndija ka njoftuar për rikthimin e mesfushorit kreativ nga Kosova, Endrit Krasniqi, njofton Telegrafi.
Pas një periudhe të shkurtër në elitën e futbollit kosovar, lojtari rikthehet në Tetovë dhe ka firmosur kontratë profesionale me kuqezinjtë, duke u bërë pjesë e projektit për sezonin e ardhshëm.
Krasniqi kishte një sezon shumë pozitiv me Shkëndijën në edicionin 2023/24, ku në 32 paraqitje zyrtare kontribuoi me 6 gola dhe 13 asistime, duke qenë një nga elementët kyç të fazës ofensive. Edhe sezonin aktual e nisi me ekipin tetovar, duke luajtur në 4 ndeshje (dy në Ligën e Konferencës dhe dy në kampionat), përpara se të transferohej te klubi i Suharekës.
Pas 10 muajsh, lojtari ka vendosur të rikthehet në Tetovë dhe tashmë ka kaluar me sukses testet mjekësore. Ai do t’i bashkohet menjëherë ekipit në fazën përgatitore që po zhvillohet në Terme Çatezh, Slloveni.Rikthimi i Krasniqit përforcon më tej repartin ofensiv të Shkëndijës, duke shtuar cilësi dhe kreativitet në mesfushë, në prag të sfidave të rëndësishme në arenën ndërkombëtare dhe kampionatin vendor.