Autoritetet doganore turke sekuestruan 49 makina luksoze me një vlerë totale prej 445 milionë lirash (14.5 milionë dollarë), të cilat ishin importuar ilegalisht në Turqi.
Siç njofton Ministria e Tregtisë së Turqisë, para se të përdoren automjetet e importuara duhet të sigurohet dokumentacioni për to dhe të paguhen taksat. Megjithatë, turistët që vijnë në këtë vend nuk i nënshtrohen këtyre rregulloreve nëse qëndrojnë për më pak se 185 ditë.
Ata që kanë importuar makinat janë paraqitur në mënyrë të rreme si turistë, prandaj janë nën hetim. Fillimisht, makinat, të cilat ndodheshin në doganë pranë kufirit me Irakun, i nënshtroheshin kontrollit. Nga kontrollet shtesë rezultoi se bëhej fjalë për një tentativë për import të paligjshëm, d.m.th. se personat që tentuan të importonin makinat po paraqiteshin rrejshëm si turistë.
Zyrtarët doganor fillimisht sekuestruan dy makina luksoze me vlerë 12.2 milionë lira (400 mijë dollarë). Pas kësaj janë sekuestruar edhe 47 makina të tjera. Po ashtu, në kuadër të hetimeve për këtë rast janë ndaluar edhe 54 persona, shkruan Gazeta Hurriyet.