Pas më shumë se dy dekadash dhe 4.500 ushtarëve amerikanë të vrarë: Nesër pritet që edhe ushtari i fundit i SHBA-së të largohet nga Iraku

Pas më shumë se dy dekadash dhe 4.500 ushtarëve amerikanë të vrarë: Nesër pritet që edhe ushtari i fundit i SHBA-së të largohet nga Iraku

Forcat e fundit amerikane pritet që deri më 30 shtator të largohen nga bazat e tyre në Irak, duke i dhënë fund pranisë ushtarake të Shteteve të Bashkuara, e cila filloi me pushtimin e vitit 2003 dhe gjatë së cilës humbën jetën rreth 4.500 ushtarë amerikanë.

Tërheqja është rezultat i një marrëveshjeje të arritur në vitin 2024, gjatë administratës së presidentit të atëhershëm Joe Biden, ndërsa po zbatohet nga administrata e Donald Trumpit, në një kohë kur Uashingtoni po zhvillon luftë kundër Iranit.

Largimi i ushtarëve amerikanë shënon fundin e një pranie të gjatë të SHBA-së në Irak, e cila në masë të konsiderueshme ka shërbyer edhe si kundërpeshë ndaj ndikimit të Teheranit.

“Më 30 shtator do të festojmë kthimin e një faqeje të zezë në historinë e Irakut dhe dështimin e okupimit për t’ia imponuar vullnetin e tij vendit tonë”, tha për Reuters Abu Mojtaba al-Yasiri, komandant i Rezistencës Islame në Irak, një organizatë e mbështetur nga Irani.

Forcimi i ndikimit të grupeve pro-iraniane

Fraksionet e lidhura me Iranin gjatë viteve të fundit kanë krijuar fuqi të konsiderueshme ushtarake dhe politike në Irak.

Analisti irakian i sigurisë Jasim al-Bahadli vlerësoi se largimi i forcave amerikane mund t’u krijojë më shumë hapësirë këtyre grupeve për të ndikuar në vendimet që lidhen me sigurinë dhe qeverisjen e vendit.

Tërheqja e ushtarëve amerikanë është përshëndetur edhe nga Irani. Amir Hayat Moqaddam, zëvendëskryetar i Komisionit për Siguri Kombëtare në Parlamentin iranian, deklaroi këtë javë se Teherani mbështet largimin e forcave amerikane nga Iraku.

Uashingtoni më herët ka akuzuar grupet e lidhura me Iranin në Irak për sulme të lidhura me konfliktin më të gjerë rajonal, përfshirë sulmin ndaj një naftësjellësi të madh në Arabinë Saudite këtë muaj.

Bagdadi, ndërkohë, po përpiqet të kufizojë ndikimin e këtyre grupeve, duke ruajtur njëkohësisht marrëdhënie të afërta si me Uashingtonin, ashtu edhe me Teheranin. Për këtë arsye, Iraku është veçanërisht i ekspozuar kur konflikti mes dy shteteve bartet në territorin e tij.

Forcat amerikane vranë gjeneralin iranian Qasem Soleimani në një sulm në aeroportin e Bagdadit në vitin 2020. Pas kësaj, aleatët e Teheranit kryen në disa raste sulme ndaj bazave amerikane, ndërsa Uashingtoni u përgjigj me goditje ushtarake.

Sipas raportimeve, shtatë nga 18 ushtarët amerikanë që kanë humbur jetën këtë vit në luftën kundër Iranit janë vrarë në Irak. I fundit ishte një rreshter i ushtrisë amerikane, i cili humbi jetën në korrik gjatë shpërthimit të kontrolluar të një droni pranë Erbilit.

Frikë nga një vakum sigurie

Mbështetja për tërheqjen e forcave amerikane nuk kufizohet vetëm te grupet e afërta me Iranin.

Megjithatë, një pjesë e irakianëve druajnë se vendi i tyre ende nuk është i gatshëm të mbetet pa mbështetjen e inteligjencës, logjistikës dhe atë ajrore që ofronte koalicioni ndërkombëtar.

“Besojmë se Iraku në këtë moment ende nuk është plotësisht i gatshëm ta marrë përsipër çështjen e sigurisë”, tha për Reuters Abdulrahman al-Zobaie, një udhëheqës fisnor sunit nga Falluxha.

Ai tha se irakianët dëshirojnë sovranitet të plotë, por kanë frikë se pas largimit të koalicionit mund të krijohet një vakum sigurie.

Zyrtarët në Bagdad, si dhe në Rajonin gjysmëautonom të Kurdistanit, paralajmërojnë se Shteti Islamik (ISIS) vazhdon të ketë celula të fjetura, pavarësisht se ka humbur kontrollin territorial mbi pjesë të Irakut.

Komandanti kurd Sirwan Barzani tha se gjatë javëve të fundit ka vërejtur aktivitet të shtuar të celulave të ISIS-it dhe se, sipas tij, lajmi për tërheqjen e forcave amerikane i ka inkurajuar militantët.

Forcat irakiane të sigurisë njoftuan se kanë zbuluar një celulë të dyshuar të ISIS-it, e cila po përgatiste sulme vetëvrasëse që planifikoheshin të kryheshin në kohën e tërheqjes së forcave amerikane.

Ky rast tregon sfidën e menjëhershme të sigurisë me të cilën do të përballen forcat irakiane pas përfundimit të misionit amerikan.

Trupat amerikane u larguan për herë të parë nga Iraku në fund të vitit 2011, pas pushtimit dhe kryengritjeve shumëvjeçare. Megjithatë, ato u kthyen më pak se tre vjet më vonë për të ndihmuar forcat irakiane në luftën kundër ISIS-it.

Me largimin e tyre të ri, Iraku do të duhet përsëri të menaxhojë vetë kërcënimet që vijnë nga fraksionet e armatosura dhe grupet militante, pa praninë ushtarake amerikane në territorin e tij.

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova