Takimi mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed (MBZ), në Abu Dhabi, është shndërruar në një samit më të gjerë rajonal, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të gjithsej dhjetë shteteve, ka zbuluar një zyrtar i lartë i Emirateve për Channel 14 të Izraelit.
Pas takimit fillestar dypalësh mes Netanyahut dhe Bin Zayedit, bisedimeve iu bashkuan delegacione nga: Emiratet e Bashkuara Arabe, Izraeli, Arabia Saudite, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Maroku, Kuvajti, Bahreini, Libia (përfaqësues të forcave nën kontrollin e Khalifa Haftarit), Omani dhe Egjipti.
Krahas Netanyahut, delegacioni izraelit përbëhej nga bashkëshortja e tij Sara Netanyahu, kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, këshilltari politik i kryeministrit, sekretari ushtarak gjeneralmajor Guy Markizano, si dhe kreu i Mossadit, Roman Gofman, i cili udhëhoqi përgatitjet dhe negociatat në emër të Izraelit.
Në fokus të bisedimeve ishte e ashtuquajtura “kërcënim iranian”, së bashku me çështjet e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Izraelit dhe vendeve të Gjirit, projektet ekonomike dhe sistemet izraelite të mbrojtjes ajrore.
Ndërkohë, gazeta italiane Il Foglio raportoi se në Abu Dhabi kishte mbërritur edhe Saddam Haftar, djali i komandantit të forcave në lindje të Libisë, Khalifa Haftar, i cili dyshohet se është takuar fshehurazi me Netanyahun. Ky raport ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga asnjëra palë.
Në prapaskenën e këtyre aktiviteteve diplomatike, në Izrael ka shpërthyer një skandal serioz për shkak të publikimit të detajeve rreth vizitës.
Shërbimi izraelit i sigurisë së brendshme, Shin Bet, ka paraqitur një ankesë zyrtare te censori ushtarak kundër Channel 12, pasi televizioni publikoi lajmin për udhëtimin sekret ndërsa aeroplani i Netanyahut ndodhej ende në hapësirën ajrore jashtë Izraelit.
Shin Bet theksoi se koha e publikimit të informacionit rrezikoi drejtpërdrejt sigurinë e kryeministrit, anëtarëve të delegacionit dhe të gjithë operacionit, si dhe ekspozoi metoda kyçe operative të sigurisë.
Kritikave iu bashkua edhe Mossadi, i cili në një vlerësim zyrtar e cilësoi rrjedhjen e informacionit si një “kërcënim serioz për sigurinë”.
Shin Bet tani kërkon nisjen e procedurave dhe sanksionimin e Channel 12 për shkelje të rëndë të rregullave të censurës.

