Vjena vendos semaforë me inteligjencë artificiale: Dallojnë sa njerëz presin të kalojnë rrugën dhe vlerësojnë kohën e nevojshme

Vjena vendos semaforë me inteligjencë artificiale: Dallojnë sa njerëz presin të kalojnë rrugën dhe vlerësojnë kohën e nevojshme

Vjena po vendos gradualisht semaforë me inteligjencë artificiale (AI), të cilët mund të dallojnë sa njerëz presin të kalojnë rrugën dhe të vlerësojnë sa kohë u nevojitet për ta kaluar. Në bazë të këtij sistemi, mund të përshtatet kohëzgjatja e dritës së gjelbër.

Në kryeqytetin austriak ka afro 200 semaforë me buton për këmbësorët dhe çiklistët. Që nga viti 2019, ata po pajisen gradualisht me sisteme që përdorin inteligjencën artificiale. Aktualisht, në qytet ka 30 semaforë të tillë, ndërsa plani është që në vitet e ardhshme të gjithë semaforët e këtij lloji të pajisen me sistemin AI.

Nëpërmjet kamerave dhe sensorëve, sistemi monitoron një hapësirë prej 30 metrash katrorë përpara semaforit. Inteligjenca artificiale dallon sa njerëz presin, cilët synojnë të kalojnë rrugën dhe sa kohë mund t’u nevojitet për kalimin.

Vëmendje e veçantë u kushtohet personave që kanë nevojë për më shumë kohë. Sistemi mund të dallojë karrocat për persona me aftësi të kufizuara, karrocat e fëmijëve dhe mjetet ndihmëse për ecje. Nëse, për shembull, identifikon një person që përdor patericë, mund ta zgjasë automatikisht kohëzgjatjen e dritës së gjelbër.

Në këtë mënyrë, semafori nuk përdor gjithmonë të njëjtën kohë të paracaktuar për kalim, por përshtatet me situatën reale në kryqëzim. Administrata e qytetit të Vjenës ka bërë të ditur se sisteme të tilla mund të kontribuojnë në një trafik më të sigurt, më gjithëpërfshirës dhe më efikas.

Autoritetet theksuan se pamjet e kamerave në sistemet që aktualisht janë në funksionim të rregullt nuk ruhen. Përpunimi bëhet drejtpërdrejt në vendndodhje dhe nuk ekziston as lidhje për transmetimin e të dhënave përmes së cilës mund të sigurohet qasje në kamera.

Sistemi është zhvilluar në Universitetin Teknik të Grazit, ndërsa që nga dhjetori i vitit 2024 është në përdorim gjenerata e tij e dytë, e përmirësuar. Fuqia më e madhe kompjuterike dhe modeli i të mësuarit të thellë mundësojnë, ndër të tjera, identifikimin e personave me lëvizshmëri të kufizuar dhe monitorimin e njëkohshëm të disa vendkalimeve për këmbësorë.

Hapi i ardhshëm është përfshirja e transportit publik. Në Universitetin Teknik të Grazit po hulumtohet aktualisht se si tramvajet dhe autobusët mund të integrohen më mirë në sistem, në mënyrë që semaforët inteligjentë ta menaxhojnë trafikun edhe më me efikasitet në të ardhmen.

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova