Drejtoria e Policisë së Dubrovnikut dhe Neretvës ka paralajmëruar qytetarët, veçanërisht shtetasit e huaj që qëndrojnë në Kroaci, për një formë të re mashtrimi që realizohet përmes videothirrjeve në internet.
Sipas policisë, mashtruesit kontaktojnë shtetasit e huaj përmes aplikacioneve të komunikimit në internet, duke u prezantuar në mënyrë të rreme si zyrtarë policorë.
Duke përdorur identitete të rreme dhe duke u përpjekur të fitojnë besimin e viktimave, ata kërkojnë që gjatë videothirrjes t’u tregojnë lejen e qëndrimit, si dhe të dhënat e kartelave bankare, përfshirë numrin e kartelës.
Pasi sigurojnë të dhënat personale dhe financiare, mashtruesit i keqpërdorin ato për të kryer transaksione të paautorizuara. Policia paralajmëron se si pasojë e këtij mashtrimi, viktimat mbeten pa para në llogaritë e tyre bankare.
Dy shtetas të huaj ranë viktimë e mashtrimit
Autoritetet bëjnë të ditur se kjo është një formë krejtësisht e re mashtrimi, e regjistruar dy ditë më parë në zonën e përgjegjësisë së Stacionit Policor të Stonit, ku janë mashtruar dy persona.
Bëhet fjalë për dy shtetas të huaj, të cilët kanë leje të rregullta qëndrimi dhe pune në Republikën e Kroacisë.
Të dy burrat ranë pre e mashtrimit dhe humbën para nga llogaritë e tyre bankare. Njëri prej tyre humbi 963 euro, ndërsa tjetri 233 euro.
Policia: Mos i ndani të dhënat e kartelave bankare
Drejtoria e Policisë së Dubrovnikut dhe Neretvës u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të mos ndajnë informacione personale apo financiare me persona të panjohur.
“Policia nuk do t’u kërkojë kurrë qytetarëve, përmes videothirrjeve në internet, të zbulojnë kodin PIN, numrin CVV/CVC, kodet e autorizimit me një përdorim apo të dhëna të tjera të sigurisë së kartelave dhe llogarive bankare”, thuhet në paralajmërimin e policisë.
