Policia kryen bastisje në Zveçan, gjen sërish thasë me rërë që u përdorën për barrikada

Policia e Kosovës është duke kryer bastisje në një objekt në Zveçan.

Në një video të siguruar nga Tëvë1, shihet një sasi e konsiderueshme e thasëve.

Siç bën me dije, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani në një objekt në Rudare të Zveçanit janë gjetur këta thasë, të cilët janë të mbushur me rërë e që janë përdorur për barrikadat në veri.

“Sot rreth orës 14.00 policia në vazhdën e hetimeve të rastit të djeshëm ka ndërhyrë edhe tek një shtëpi private ku ka has në thasë të tjerë me rërë e që besohet të kishin qenë aty që nga koha e barrikadave në vitin 2022. Hyrjen në atë shtëpi e kemi bërë në prezencë të pronarit të shtëpisë i cili njëherësh është edhe pronar i shtëpisë ku dje i kemi konfiskuar disa pajisje të lojërave të fatit”, ka thënë ai.

Elshani ka bërë të ditur se pronari momentalisht është duke u intervistuar.

Ndryshe edhe gjatë ditës së djeshme, Elshani po ashtu ka njoftuar për bastisje në një objekt tjetër në Zveçan, ku janë gjetur thasë që sipas tij janë shfrytëzuar nga grupe terroriste serbe në kohën e barrikadave.

Madje ai ka theksuar se Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut kanë pasur plane që të sulmojnë Policinë e Kosovës.

Kategoritë
LajmeVendi