Lëvizja Vetëvendosje e ka prioritet zgjedhjen e Presidentit të Kosovës dhe shmangien e zgjedhjeve të reja, ka deklaruar deputeti i kësaj partie, Adnan Rrustemi.
Në një intervistë për KosovaPress, Rrustemi tha se LVV-ja do të bëjë të gjitha përpjekjet që deri më 6 tetor të zgjidhet Presidenti, ndërsa u bëri thirrje Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që të ndryshojnë qëndrimin e tyre lidhur me këtë çështje.
Sipas tij, pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale më 16 shtator, partitë opozitare duhet të reflektojnë dhe të angazhohen për gjetjen e një konsensusi për zgjedhjen e Presidentit.
Rrustemi: LVV-ja do të bëjë të gjitha përpjekjet për ta zgjedhur presidentin
“Këto 12 ditë janë 12 ditë për presidentin. Vërtetë është shkurtuar mjaft shumë afati, por secila parti politike duhet ta ketë parasysh se kjo është gjëja më e rëndësishme për t’i dhënë vendit stabilitet dhe për t’i shmangur zgjedhjet që të pajtohemi për presidentin konsensual. Kosova ka nevojë për president, nuk ka nevojë për zgjedhje të reja. Dhe ka nevojë për një president konsensual dhe kështu t’i krijojë mundësinë për stabilitet institucional dhe të përballet me të gjitha sfidat, me punët natyrisht që na presin edhe ato që u përmendën. Do të habitesha shumë që edhe pas 16 shtatorit, nëse partitë politike opozitare kanë qëndrimet e njëjta sikurse para 16 shtatorit. Unë mendoj që pas 16 shtatorit secila parti politike opozitare që ka kalkuluar për ta pamundësuar Qeverinë Kurti duke kufizuar në mandat nëpërmjet procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, duhet të reflektojë dhe duhet të ulemi dhe të gjejmë një konsensus për sa i përket presidentit dhe pastaj të vazhdojmë punën, natyrisht secili në rolin dhe pozicionin e tij apo të saj”, deklaroi ai.
PDK-ja pas zgjedhjeve të 7 qershorit ka deklaruar se do të qëndrojë në opozitë dhe nuk do të përfshihet në negociatat për zgjedhjen e Presidentit.
Ndërkaq, AAK-ja ka paraqitur disa kërkesa, mes tyre edhe pranimin e gazit amerikan, në kuadër të mbështetjes për zgjedhjen e Presidentit.
Rrustemi tha se pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së, këto dy parti duhet të ndryshojnë qëndrimin e tyre sa i përket bashkëpunimit me LVV-në për zgjedhjen e Presidentit.
Rrustemi: PDK-ja dhe Aleanca të ndryshojnë qëndrim për Presidentin, pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së
“Padyshim që ne kemi qenë dhe jemi të hapur për të diskutuar me secilën parti politike për ta gjetur një zgjidhje për presidentin. Ajo çfarë nuk dihet është se pas 16 shtatorit a ka ndryshuar pozicioni i PDK-së dhe AAK-së për sa i përket bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje për çështjen e presidentit…. Ne jemi të interesuar dhe të gatshëm për ta gjetur një zgjidhje për presidentin. I ftojmë edhe njëherë partitë politike të reflektojnë, sidomos pas 16 shtatorit. Përsëri po e them, do të ishte e habitshme nëse partitë politike opozitare, sidomos PDK-ja dhe AAK-ja, që kanë refuzuar bashkëpunimin para 16 shtatorit, të mbajnë të njëjtat qëndrime edhe pas 16 shtatorit. Sot nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa të tejkalojmë çështjen e presidentit, të kemi institucione stabile me mandat të plotë, për t’u përballur edhe me sfidën e Gjykatës Speciale, për t’i ofruar mbështetje të plotë shtetërore, me një strategji të bashkërenduar, 4 ish-krerëve të UÇK-së”, potencon ai.
Rrustemi kritikoi edhe interpretimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatin për zgjedhjen e Presidentit. Sipas tij, ky interpretim ka shkurtuar periudhën në dispozicion për përpjekjet për gjetjen e një presidenti konsensual.
Rrustemi: Kushtetuesja ka nxjerrë një interpretim të çuditshëm, u shkurtuan përpjekjet për ta zgjedhur Presidentin

