Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur se zgjedhja e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, por ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar pas kalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh. Gjykata ka përcaktuar gjithashtu se afati për zgjedhjen e Presidentit të Republikës përfundon më 6 tetor 2026.
Vendimi është marrë njëzëri të mërkurën, më 23 shtator, pas shqyrtimit të dy kërkesave të parashtruara nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, së bashku me deputetë të tjerë, lidhur me procedurat e konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Gjykata ka konstatuar se vendimi i Kuvendit i 13 shtatorit për zgjedhjen e Qeverisë nuk bie ndesh me nenin 95 të Kushtetutës, duke mos pranuar pretendimin për jokushtetutshmërinë e zgjedhjes së saj. Megjithatë, ajo ka konstatuar se Kuvendi nuk e ka respektuar afatin kushtetues për konstituim. Njoftim për medie.doc
Kushtetuesja kërkon zgjedhjen sa më parë të nënkryetarit nga PDK-ja
Një tjetër pjesë e rëndësishme e vendimit lidhet me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga grupi i dytë më i madh parlamentar.
Gjykata ka konstatuar se deputetët duhet ta zgjedhin sa më parë këtë nënkryetar, në përputhje me nenin 67 të Kushtetutës.
Çështja e nënkryetarit të PDK-së kishte shkaktuar përplasje politike gjatë seancave konstituive. Më 13 shtator, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e kishte shpallur të konstituuar legjislaturën e njëmbëdhjetë, ndonëse nuk ishte zgjedhur nënkryetari nga radhët e PDK-së.
Pas këtij veprimi, PDK-ja iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kundërshtuar procedurat e konstituimit dhe, më pas, edhe vendimin për zgjedhjen e Qeverisë.
Me vendimin e sotëm, Kushtetuesja ka përcaktuar se zgjedhja e nënkryetarit të mbetur duhet të përfundojë sa më parë, por nuk e ka shpallur antikushtetues vendimin për zgjedhjen e Qeverisë.
Presidenti duhet të zgjidhet deri më 6 tetor
Pjesa tjetër e vendimit ka të bëjë me afatet për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, çështje që ka qenë në qendër të krizës politike në Kosovë.
Gjykata ka konstatuar se tejkalimi i afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit nuk e pezullon fillimin e afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit, kur posti është vakant, dhe për zgjedhjen e Qeverisë.
Sipas Kushtetueses, afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor 2026. Njoftim për medie.doc
Ky konstatim vjen në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për ta mbështetur Bekim Sejdiun si kandidat të përbashkët për President.
Megjithatë, marrëveshja është përballur me kundërshtimin e gjashtë deputetëve të LDK-së, duke lënë të pasigurt sigurimin e votave të nevojshme për zgjedhjen e tij.
Sipas nenit 82 të Kushtetutës, dështimi për ta zgjedhur Presidentin brenda afatit kushtetues sjell shpërndarjen e Kuvendit. Rrjedhimisht, vendimi i sotëm e bën 6 tetorin datën përcaktuese për përfundimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit.
Vendimi vjen pas disa muajsh krizë politike
Kosova është përballur me një periudhë të zgjatur të bllokadës institucionale, të karakterizuar nga zgjedhjet e përsëritura, vështirësitë për konstituimin e Kuvendit dhe mungesa e marrëveshjes për Presidentin.
Pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje arriti ta formojë Qeverinë më 13 shtator, me 62 vota nga 120 deputetë. Partitë opozitare kundërshtuan procedurat e ndjekura, ndërsa PDK-ja vendosi t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi i sotëm i Kushtetueses sqaron çështjen e kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Qeverisë, por lë ende dy detyra për Kuvendin: përfundimin e zgjedhjes së nënkryetarit nga grupi i dytë më i madh parlamentar dhe zgjedhjen e Presidentit brenda afatit të përcaktuar.
Gjykata ka refuzuar gjithashtu kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme. Aktgjykimi hyn në fuqi ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa teksti i plotë do t’u dorëzohet palëve dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare.

