Partnerët e koalicionit të ekstremit të djathtë të Netanyahut e kanë dëmtuar pozitën ndërkombëtare të Izraelit, duke kontribuuar në mungesën e takimeve të nivelit të lartë gjatë vizitës së tij në Nju Jork, sipas një analize në “Times of Israel”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po kërkon një shtysë elektorale nga fjalimi i tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të enjten, por duket se nuk ka gjasa të sigurojë një takim me presidentin amerikan Donald Trump gjatë vizitës së tij në Nju Jork, sipas një analize izraelite të publikuar të mërkurën.
Fjalimi vjen pak më shumë se një muaj para zgjedhjeve të 27 tetorit në Izrael. Blloku i Netanyahut mbetet shumë larg 61 mandateve të nevojshme për formimin e qeverisë, sipas një sondazhi nga Zman Yisrael, cituar në analizën e “Times of Israel”.
Gazetari diplomatik Lazar Berman shkroi se zyra e Netanyahut është përpjekur të organizojë një takim me Trumpin, por presidenti amerikan “me sa duket nuk ishte i gatshëm ta realizonte”. Trump u takua këtë javë me kryetarin e Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ndërsa ende nuk e ka mbështetur publikisht Netanyahun për një mandat tjetër, thuhet në analizë.
Pas publikimit të analizës, Trump shpërndau një artikull lidhur me një sondazh të kryer një javë më parë, i cili e nxirrte bllokun e Netanyahut pak përpara rivalit të tij, por ende pa shumicë. Ai nuk e mbështeti në mënyrë të drejtpërdrejtë Netanyahun, vuri në dukje Berman.
Një takim do t’i kishte mundësuar Netanyahut të ringjallte një pretendim të fushatave të mëparshme se marrëdhëniet e tij me liderët e huaj e dallonin nga rivalët, veçanërisht nga Gadi Eisenkot, shkroi Berman.
Sipas analizës, takimi do t’i kishte dhënë Netanyahut mundësinë që t’ia paraqiste drejtpërdrejt Trumpit interesat e Izraelit lidhur me Iranin, Libanin dhe Gazën. Berman tha se kjo mund ta kishte ndihmuar kryeministrin të përsëriste argumentin e tij të mëparshëm elektoral se është “në një ligë tjetër” krahasuar me rivalët.
Netanyahut i duhet të përballet edhe me vështirësi të tjera në vend. Berman iu referua zemërimit të votuesve për dështimin e tij “për të parandaluar sulmet e 7 tetorit 2023, refuzimin për të ngritur një komision shtetëror hetimor për katastrofën, refuzimin e vazhdueshëm të koalicionit të tij në largim për të rekrutuar hebrenjtë ultraortodoksë dhe një prirjeje gjithnjë e më ekstremiste në shoqëri”.
Megjithëse Netanyahu do t’u drejtohet liderëve botërorë në OKB, Berman shkroi se “audienca e tij kryesore” do të jenë votuesit izraelitë që do ta ndjekin fjalimin nga shtëpitë e tyre. Kryeministri duhet t’i bindë ata se mbetet zgjedhja më e mirë për çështjet e sigurisë pas asaj që Berman i cilësoi si tri “fushata qartësisht pa përfundim” në Gaza, Liban dhe Iran.
Sa i përket Gazës, analiza thotë se Netanyahu ka gjasa të theksojë kontrollin ushtarak izraelit mbi më shumë se 60 për qind të territorit të enklavës dhe të përsërisë zotimin e tij për çarmatimin e Hamasit. Berman argumentoi se Netanyahu ende nuk ka shpjeguar se si do ta realizonte këtë.
Berman thotë se Netanyahu mund të theksojë kthimin e të gjithë pengjeve nga Gaza, duke lënë pa përmendur se më shumë se 40 persona që ishin marrë të gjallë u vranë më pas ose vdiqën në robëri.
Për Libanin, sipas analizës, Netanyahu pritet të theksojë dëmet e shkaktuara Hezbollahut dhe praninë e vazhdueshme ushtarake të Izraelit në jug. Berman argumentoi, megjithatë, se plani për marrjen nën kontroll nga forcat libaneze të zonave nga të cilat trupat izraelite tërhiqen nuk mjafton për çarmatimin e Hezbollahut.
Rezultati në Iran paraqet një sfidë për Netanyahun, shkroi Berman. Megjithëse Irani është dobësuar ushtarakisht dhe ekonomikisht, autori tha se nuk ka shenja se udhëheqja e tij është gati të “bëjë lëshime” lidhur me Ngushticën e Hormuzit apo programin bërthamor.
Berman argumentoi se Netanyahu do të duhet t’i paraqesë rezultatet e fushatave kundër Iranit si një “fitore”, pavarësisht mungesës së lëshimeve për çështjet më të rëndësishme për Izraelin. Ai sugjeroi se fjalimi në OKB mund të jetë një përpjekje për të ndikuar në qasjen e Trumpit ndaj Teheranit.
Duke cituar Kanalin 12 të Izraelit, analiza thotë se Netanyahu pritet të paraqesë në OKB informacione mbi programin bërthamor të Iranit dhe përpjekjet për të rindërtuar kapacitetet e tij. Më tej thuhet se ai pritet gjithashtu të përdorë mjete vizuale të ngjashme me ato që ka shfaqur në fjalimet e mëparshme në OKB.
Në analizë vihet në dukje se të dërguarit e Trumpit zhvilluan të martën bisedime me zyrtarë iranianë ndërsa Trump foli për arritjen e një marrëveshjeje pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
Berman vlerëson se Trump nuk ka gjasa të rifillojë sulmet intensive ndaj Iranit para këtyre zgjedhjeve. Ai argumentoi se qëndrimi i Teheranit nuk do të ndryshojë për shkak të kalendarit zgjedhor amerikan, duke iu referuar këmbënguljes së tij për njohjen formale të kontrollit mbi Hormuzin dhe refuzimit për të negociuar mbi programin e tij bërthamor.
Agjenda e Netanyahut në Nju Jork ofron pak shenja për takime me liderët botërorë që shoqëronin vizitat e tij të mëparshme në OKB, shkroi Berman. Në kohën e publikimit të analizës, ai duket se nuk ka të ngjarë të zhvillojë ndonjë takim të nivelit të lartë para se të kthehet në Izrael për javët e fundit të fushatës.
Ndryshe nga vizitat e mëparshme, kur Netanyahu kalonte ditë duke takuar liderë të tjerë në kuadër të fjalimit të tij në OKB, agjenda e tij parashikonte mbërritjen pak para fjalimit të së enjtes dhe largimin menjëherë pas tij. Berman e lidhi pjesërisht mungesën e takimeve me dëmin që, sipas tij, partnerët e ekstremit të djathtë të koalicionit të Netanyahut i kanë shkaktuar pozitës ndërkombëtare të Izraelit.
Vizita e Netanyahut vjen në një kohë kur priten protesta në Nju Jork për shkak të gjenocidit të Izraelit në Rripin e Gazës dhe shkeljeve në Bregun Perëndimor të pushtuar. Vizita vjen një ditë pasi kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, e cilësoi Netanyahun si “kriminel lufte” dhe “arkitekt të një gjenocidi të tmerrshëm kundër palestinezëve”.
Mamdani më herët u kishte bërë thirrje autoriteteve federale amerikane të zbatonin urdhërarrestin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) ndaj Netanyahut, ndërsa pranoi se autoritetet e qytetit të Nju Jorkut nuk kanë kompetenca ligjore për ta zbatuar atë.
GJNP-ja lëshoi urdhërarreste për Netanyahun dhe ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant në nëntor 2024 për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
