Izraeli në ofensivë të re propagandistike, mbush Nju Jorkun me mesazhe në billborde dhe kamionë: “Në anën e kujt jeni?”

Izraeli në ofensivë të re propagandistike, mbush Nju Jorkun me mesazhe në billborde dhe kamionë: “Në anën e kujt jeni?”

Në prag të fjalimit të sotëm të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kabineti i tij ka investuar mjete të konsiderueshme në aktivitete propagandistike në Nju Jork.

Nga zyra e tij është bërë e ditur se Izraeli ka intensifikuar përpjekjet e diplomacisë publike gjatë Asamblesë, duke vendosur mesazhe në kamionë dhe billborde pranë selisë së OKB-së. Mesazhet fokusohen në kërcënimet nga Irani dhe në partneritetin mes SHBA-së dhe Izraelit.

“Gjithsej 500 billborde dhe dhjetëra kamionë me ekrane digjitale transmetojnë mesazhe që fokusohen në kërcënimin që regjimi terrorist iranian paraqet për botën e lirë dhe në përpjekjet e përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit kundër tij”, thuhet në njoftimin e Administratës Kombëtare për Diplomaci Publike pranë Zyrës së Kryeministrit.

Në billborde, ku shfaqen flamujt amerikanë dhe izraelitë dhe theksohen kërcënimet bërthamore dhe terroriste nga Irani, janë vendosur mesazhe si: “Liria nuk mbrohet vetë”, “Një Iran bërthamor nuk mund të bëhet realitet” dhe “Në anën e kujt jeni?”.

Një tjetër billbord u drejtohet delegatëve iranianë, duke vënë në pah gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarëve të Iranit.

Izraeli ka sponsorizuar fushata të ngjashme edhe gjatë Asambleve të mëparshme të OKB-së, ndërsa mesazhet e vitit të kaluar ishin fokusuar në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova