Arabia Saudite ekzekutoi dy shtetas të Bangladeshit për një “akt të pahijshëm” në një xhami në Mekë

Arabia Saudite ekzekutoi dy shtetas të Bangladeshit për një “akt të pahijshëm” në një xhami në Mekë

Bangladeshi kërkon shpjegime nga Arabia Saudite për ekzekutimin e dy shtetasve të tij, një burri dhe një gruaje, të dënuar për një “akt të pahijshëm” në një xhami në Mekë. Autoritetet në Dhaka thonë se nuk ishin njoftuar paraprakisht për ekzekutimin.

Ministria e Brendshme saudite njoftoi përmes agjencisë shtetërore SPA se janë ekzekutuar Nazrul Islam Abdul Basir dhe Siti Akhtar, të dy shtetas të Bangladeshit. Ekzekutimi u krye më 14 tetor në rajonin e Mekës.

Sipas njoftimit, shërbimet e sigurisë i arrestuan pasi kishin kryer në xhami atë që Ministria e cilësoi si një akt imoral. Gjykata i dënoi me vdekje për shkak të rëndësisë së veprës, cenimit të shenjtërisë së xhamisë dhe rrethanave në të cilat ishte kryer vepra. Vendimi u la në fuqi, ndërsa për zbatimin e tij u lëshua një urdhër mbretëror.

Ministria deklaroi se kushdo që kryen një vepër të ngjashme do të ndëshkohet sipas ligjeve të mbretërisë. Autoritetet saudite nuk publikuan hollësi se çfarë kishin bërë konkretisht dy të dënuarit dhe as nëse kishin pasur avokat gjatë procesit gjyqësor.

Ministri i Jashtëm i Bangladeshit, Humayun Kabir, u tha gazetarëve se ishte shumë i zhgënjyer nga mungesa e komunikimit. Ai shtoi se Dhaka kërkon shpjegime përse shtetasit e saj u ekzekutuan dhe përse nuk ishte njoftuar paraprakisht.

Sipas Middle East Eye, dy të ekzekutuarit figuronin në një listë të të burgosurve që Arabia Saudite ia kishte dorëzuar më herët Bangladeshit, por në të nuk kishte asnjë shënim që tregonte se po planifikohej zbatimi i dënimit me vdekje. Ndërkohë, ambasadori saudit në Dhaka u takua me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme të Bangladeshit.

Kategoritë
BotaLajme