Për shkak të kaosit total në rrugët e Los Anxhelosit, guvernatori paralajmëron padi kundër Trumpit

Policia e Los Anxhelosit shpalli të dielën në mbrëmje të gjithë zonën qendrore të qytetit si “tubim të paligjshëm”.

Ndërsa protestuesit vazhdojnë përplasjet me policinë në qendër të qytetit, autoritetet paralajmëruan se përdorimi i mjeteve ndezëse nga protestuesit do të hasë në “forcë të përshtatshme”. Sipas CNN, policia shkroi në platformën X:
“Është miratuar përdorimi i municionit që shkakton dhimbje dhe parehati.”

Gjatë natës, u regjistruan përplasje të ashpra në rrugën Arcadia, ku protestuesit hodhën fishekzjarrë drejt policëve të pajisur me veshje për shpërndarjen e turmave, ndërsa policia reagoi me gaz lotsjellës dhe plumba gome.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, deklaroi se shteti do të padisë administratën Trump të hënën, për atë që e përshkroi si “vendosje të paligjshme, imorale dhe antikushtetuese” të Gardës Kombëtare për të përballuar trazirat në shtet.

Në një intervistë për MSNBC, Newsom akuzoi presidentin Trump se “po hedh benzinë mbi zjarr” në një situatë tashmë të tensionuar.

“Donald Trump krijoi kushtet që i patë sonte në televizor. Ai i përkeqësoi ato, që kur njoftoi se do të merrte kontrollin e Gardës Kombëtare. Nesër do të paraqesim padi”, tha Newsom.

Guvernatori shtoi se urdhri federal për vendosjen e Gardës Kombëtare shkelte protokollet ekzistuese, të cilat kërkojnë koordinim me guvernatorët e shteteve. Ai përmendi se kishte bashkëpunuar më parë me Gardën për logjistikë, për menaxhimin e zjarreve dhe protestat për George Floyd-in.

“Ekziston një protokoll. Një proces. Por atij nuk i intereson. Dhe më e keqja, gënjeu plotësisht”, shtoi ai.

Policia e Los Anxhelosit përpiqet të shpërndajë protestuesit para errësirës, nga frika se situata mund të përshkallëzohet më tej gjatë natës.

Protestat nisën pas një serie bastisjesh nga agjentët federalë të imigracionit (ICE), me mbi 100 emigrantë të arrestuar gjatë javës. Presidenti Trump urdhëroi dislokimin e 2.000 trupave të Gardës Kombëtare në Los Anxhelos, duke i cilësuar protestat si “një formë rebelimi.”

Ndërkohë, një lider i njohur sindikal u arrestua gjatë protestës dhe u akuzua për pengim të punës së policisë.

Kategoritë
BotaLajme