Pentagoni po i trajton një seri prishjesh të pashpjegueshme të frigoriferëve dhe ngrirësve, që në muajin gusht shkaktuan prishjen e ushqimeve në baza ushtarake në të gjithë SHBA-në, si një sulm të mundshëm kibernetik, raportoi Reuters duke u thirrur në katër zyrtarë të informuar për çështjen.
Një nga zyrtarët tha për Reuters se hetuesit ushtarakë amerikanë janë në kontakt me homologët e tyre francezë për shkak të një sulmi të ngjashëm ndaj pajisjeve frigoriferike që këtë muaj preku supermarkete në Francë.
Nga Pentagoni, në përgjigje të pyetjeve, thanë vetëm se një njësi e Komandës Kibernetike të SHBA-së po punon “në koordinim të ngushtë me partnerë nga agjenci të tjera dhe organet e zbatimit të ligjit”.
Ata nuk treguan se deri ku ka arritur hetimi dhe as nëse ka persona të dyshuar. Departamenti i Hetimeve Kriminale i Ushtrisë Amerikane konfirmoi se në hetim është përfshirë njësia e tij për krimin kibernetik dhe se po bashkëpunon me policinë franceze për të kuptuar më mirë defektet e sistemeve frigoriferike në Evropë.
Në fund të gushtit, defektet prekën të paktën gjashtë komisarë, pra dyqane brenda bazave ushtarake ku personeli ushtarak blen ushqime, sipas një verifikimi të Reuters bazuar në njoftimet e publikuara atëherë nga bazat në Facebook dhe në faqet e tyre të internetit.
Të paktën në një rast, ngrirësit nuk pushuan thjesht së funksionuari, por temperatura e tyre u rrit gjatë natës. Në mëngjes u gjet një sasi e madhe ushqimi e shkrirë dhe e prishur. Baza Fort Huachuca në Arizona njoftoi më 26 gusht në Facebook se një ngrirës kishte kaluar në modalitetin e shkrirjes dhe kishte ngrohur të gjithë ushqimin.
Për sjelljen e pazakontë të ngrirësve dhe mundësinë e sabotimit shkroi fillimisht më 28 gusht blogu “Signal and Silence”, ndërsa për përfshirjen e hetuesve ushtarakë dhe kontaktet e tyre me autoritetet franceze kishin raportuar më herët “Stars and Stripes” dhe britanikja “Daily Telegraph”.
Në sulmin në Francë, hakerët morën kontrollin e temperaturës së pajisjeve frigoriferike në më shumë se 350 objekte. Ashtu si në Fort Huachuca, temperatura u rrit në vend që pajisjet thjesht të fikeshin, ndërsa disa prej tyre u nxehën aq shumë sa morën flakë.
Një pronar supermarketi vlerësoi se dëmet totale mund të arrijnë në dhjetëra miliona euro.
Kompania daneze Danfoss, kontrolluesit e së cilës menaxhonin shumë nga pajisjet e prekura, tha se një pjesë e madhe e tyre ishin të vjetruara ose përdornin softuer të vjetër, gjë që mund t’ua ketë lehtësuar hakerëve depërtimin në sistem.
Reuters nuk arriti të përcaktojë nëse në bazat amerikane përdoren kontrollues të Danfoss-it apo pajisje të tjera të ngjashme. Danfoss nuk iu përgjigj pyetjeve, ndërsa Ambasada e Francës në Uashington nuk deshi të komentonte.
Sulmet ndaj sistemeve frigoriferike nuk janë diçka e re. Danfoss njoftoi se në vitin 2022 hakerët sulmuan supermarkete në Rusi dhe Izrael që përdornin versione të vjetruara të kontrolluesve të kompanisë.
Prokurorët federalë në Los Angeles në dhjetor të vitit të kaluar akuzuan një shtetase ukrainase se ishte pjesë e një grupi hakerësh që në vitin 2024 kishte çaktivizuar sistemin e ftohjes në një fabrikë të përpunimit të mishit, duke shkaktuar prishjen e më shumë se 900 kilogramëve mish.
Bill Moore, drejtor i kompanisë së sigurisë kibernetike industriale Xona Systems, tha për Reuters se problemi kryesor është se kontrolluesit, të cilët fillimisht ishin projektuar si pajisje të izoluara që mirëmbaheshin nga teknikë në vend, po lidhen gjithnjë e më shpesh me internetin.
Ai paralajmëroi se sulme të tilla mund të shkaktojnë ndërprerje serioze në zinxhirin e furnizimit me ushqime.
