Pavarësisht bllokadave amerikane: Irani importon pajisje ushtarake për prodhimin e raketave përmes 5 mijë agjencive sekrete

Pavarësisht bllokadave amerikane: Irani importon pajisje ushtarake për prodhimin e raketave përmes 5 mijë agjencive sekrete

Irani, përmes një rrjeti sekret prej më shumë se 5 mijë agjencish ushtarake, ka importuar që nga janari i vitit 2025 pajisje, eksplozivë dhe kamionë të rëndë me vlerë të paktën dy miliardë dollarë, duke anashkaluar bllokadën detare amerikane dhe sanksionet perëndimore, sipas një hetimi të agjencisë Reuters.

Pas emërtimeve që fillojnë me shkronjat MOD, shkurtesë për Ministrinë e Mbrojtjes, fshihen më shumë se 5 mijë agjenci që përbëjnë një makineri të madhe financiare dhe ushtarake.

Gjurmët e tyre financiare shfaqen në dokumentet e transportit dhe të dhëna të tjera për dërgesat që nga viti 2016.

Disa prej tyre janë të lidhura me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe me fondacione të njohura si “bonyad”, të kontrolluara nga elita iraniane.

Reuters i identifikoi agjencitë në bashkëpunim me kompaninë izraelito-amerikane të konsulencës 240 Analytics. Hetimi bazohet në mijëra dokumente bankare dhe shtetërore iraniane, të dhëna nga regjistrat e kompanive dhe të dhëna për importet. Të gjitha agjencitë ndajnë të njëjtën adresë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Logjistikës së Forcave të Armatosura në Teheran.

Një agjenci, 2,3 miliardë dollarë

Vetëm njëra prej agjencive, MOD 346428, nga janari i vitit 2025 deri në qershor të vitit 2026 ka importuar pajisje ushtarake me vlerë 2,3 miliardë dollarë, sipas të dhënave të platformës ImportGenius.

Në mesin e mallrave të importuara janë sasi të mëdha karburanti raketor, eksplozivësh dhe pjesësh kyçe për prodhimin e dronëve dhe raketave. Janë importuar gjithashtu kamionë të rëndë që mund të përdoren si platforma për lëshimin e raketave.

Si vende të origjinës më së shpeshti përmenden Kina, Rusia dhe Gjermania.

Ngarkesat kanë mbërritur me anije përmes Detit Kaspik nga Rusia, me kamionë nga Azia Qendrore dhe me avionë transportues nga Kina.

Për 97 për qind të dërgesave të shqyrtuara nga Reuters, paratë nuk kanë kaluar kufirin. Mallrat janë blerë nga ndërmjetës të besuar në diasporë, me para nga banka të huaja, dhe më pas janë dërguar në Iran.

Pas fillimit të luftës më 28 shkurt, importet në mars ranë me 47 për qind, në 54 milionë dollarë. Deri në maj, ato u rritën sërish në 77 milionë dollarë në muaj.

Në qershor, nga Rusia mbërriti një dërgesë detonatorësh me vlerë 1,9 milion dollarë. Kjo ishte e fundit nga pesë dërgesa të tilla ruse, të cilat që nga fillimi i vitit 2025 kishin një vlerë totale prej 7,6 milionë dollarësh.

E njëjta agjenci importoi edhe 435 kamionë Iveco, si dhe mijëra automjete Toyota Hilux dhe Land Cruiser.

Garda Revolucionare i modifikon këto automjete për t’u montuar mitralozë të rëndë.

Iveco deklaroi se çdo prani e automjeteve të saj në Iran ka qenë jashtë kontrollit dhe përgjegjësisë së kompanisë. Toyota tha se nuk ishte e përfshirë në këto blerje dhe se nuk kishte dijeni për to.

Në mesin e përdoruesve përfundimtarë të këtij rrjeti është edhe një njësi ushtarake që drejton programin iranian të raketave balistike.

Një tjetër përdorues është kompania Sahara Thunder, e cila u sanksionua nga SHBA-ja në vitin 2024 për prodhimin dhe furnizimin e Rusisë me dronë.

Dërgesat para shpërthimit në Bandar Abbas

Nga janari deri në prill të vitit 2025, MOD 346428 importoi 886 tonë kimikate nga Kina në kompleksin portual të Bandar Abbasit.

Ato ishin deklaruar me një kod doganor që përfshin perkloratet, përbërës kyç të karburantit të ngurtë raketor.

Tre ditë pas dërgesës së fundit, porti u godit nga një shpërthim ku humbën jetën të paktën 70 persona dhe u plagosën më shumë se 1.200.

Reuters nuk arriti të përcaktojë nëse kimikatet nga dërgesa e fundit prej 75 tonësh shkaktuan shpërthimin.

“Kjo është linja ushtarake e mbijetesës së regjimit gjatë këtij konflikti dhe për shumë vite më parë”, tha Miad Maleki, ish-zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Thesarit, i cili kishte marrë pjesë në hartimin e sanksioneve ndaj Iranit.

Reuters nuk gjeti prova se ndonjëra prej këtyre agjencive është futur në listat e sanksioneve të qeverive perëndimore.

Një zëdhënëse e Departamentit amerikan të Thesarit tha se regjimi mund të vazhdojë përpjekjet dëshpëruese për shmangien e sanksioneve, por se SHBA-ja është “gjithmonë dhjetë hapa përpara”.

Ministria e Jashtme e Kinës deklaroi se nuk ishte në dijeni të situatës së përshkruar nga Reuters.

Institucionet iraniane, Ministria ruse e Mbrojtjes dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën pyetjeve.

Presidenti amerikan Donald Trump shkroi më 12 tetor se nuk beson që Kina dhe Rusia po e ndihmojnë Iranin. Ai shtoi se, nëse ekziston një ndihmë e tillë, ajo është “në një nivel shumë të ulët”.

Kategoritë
BotaLajme