Kryeministri hungarez Viktor Orbán është shprehur se lufta në Ukrainë nuk do të përshkallëzohet në një konflikt global, pasi sipas tij, Rusia është shumë e dobët për një gjë të tillë, raportoi portali hungarez Telex.
“Rusët janë shumë të dobët. Ata nuk mund ta mposhtin as Ukrainën, e si do të sulmonin NATO-n?”, u shpreh Orbán, duke shtuar se nuk ka frikë se konflikti do të përhapet në nivel global.
Marrëveshja e paqes duhet mes SHBA-së dhe Rusisë
Orbán beson se fillimisht duhet rënë dakord për një armëpushim, pastaj për një marrëveshje paqeje, dhe sipas tij, kjo marrëveshje duhet të arrihet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, jo mes Ukrainës dhe Rusisë.
Ai përsëriti qëndrimin e tij se anëtarësimi i Ukrainës në NATO dhe Bashkimin Evropian nuk është në interesin e Hungarisë.
“Europa duhet të forcohet”
Duke folur për pozicionin e kontinentit, Orbán tha:
“Mendoj se rusët kuptojnë vetëm gjuhën e forcës. Evropa duhet të jetë e fortë dhe të negociojë nga një pozitë fuqie. Por për fat të keq, ne jemi të dobët – na nevojiten Shtetet e Bashkuara.”
“Na duhet një marrëveshje strategjike me Rusinë, por vetëm një Evropë e fortë mund ta arrijë atë.”
I gatshëm ta presë Putinin në Budapest
Orbán theksoi gjithashtu se duhet të negociohet me presidentin rus Vladimir Putin, duke shtuar se:
“Nëse Putin dëshiron të vijë në Hungari, do ta presim me krahë hapur.”
“Trump nuk është mesia, por…”
Sa i përket ish-presidentit amerikan Donald Trump, Orbán tha:
“Trump nuk është një mesia, por me të është e mundur të arrihet një marrëveshje – megjithëse kjo do të jetë e vështirë.”
Kundër ndihmës ushtarake për Ukrainën
Orbán deklaroi se lufta në Ukrainë duhet të ndalet sa më shpejt, sepse vazhdimi i saj do të sjellë vetëm më shumë viktima. Ai kritikoi dërgimin e armëve për Ukrainën dhe sanksionet kundër Rusisë, duke thënë se ato po dëmtojnë ekonominë evropiane, përfshirë atë hungareze.
Orbán shpesh kritikon qëndrimin e ashpër të Brukselit ndaj Rusisë dhe shmang hapur kritikën ndaj Kremlinit. Ai ka deklaruar qartë se do të bëjë gjithçka për të penguar anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, duke argumentuar se është në mbrojtje të interesave kombëtare të Hungarisë.