Mijëra persona, kryesisht nga Tunizia, kanë nisur një karvan tokësor drejt Gazës me synimin për të “thyer bllokadën” e territorit palestinez.
Organizatorët thonë se karvani prej nëntë autobusësh nuk ka për qëllim të dërgojë ndihma humanitare në Gazë, por të realizojë një “akt simbolik” duke tentuar të çajë bllokadën mbi një territor që Kombet e Bashkuara e kanë përshkruar si “vendi më i uritur në botë”.
Karvani “Soumoud”, që në arabisht do të thotë “qëndrueshmëri”, përfshin edhe mjekë dhe synon të arrijë në Rafah, në jug të Gazës, deri në fundjavë, ka deklaruar aktivistja Jawaher Channa për AFP.
Ata planifikojnë të kalojnë përmes Libisë dhe Egjiptit, megjithëse Kairo ende nuk ka dhënë leje për hyrjen.
“Jemi rreth një mijë vetë dhe rrugës do të na bashkohen edhe më shumë persona,” tha Channa, zëdhënëse e Koordinatës për Veprim të Përbashkët për Palestinën nga Tunizia, grupi që po organizon karvanin.
Ajo shtoi se Egjipti ende nuk ua ka dhënë lejen për të kaluar kufirin, por se do të shohin çfarë do të ndodhë kur të mbërrijnë atje.
Channa theksoi se nuk presin probleme gjatë kalimit në Libi, “pasi populli libian historikisht ka përkrahur çështjen palestineze”, pavarësisht përplasjeve të fundit vdekjeprurëse në këtë vend, që mbetet i ndarë midis dy qeverive.
Aktivistë nga Algjeria, Mauritania, Maroku dhe Libia janë gjithashtu pjesë e grupit, i cili pritet të udhëtojë përgjatë brigjeve të Tunizisë dhe Libisë, përpara se të vazhdojë rrugën për në Rafah përmes Egjiptit.
Anija e ndihmës “Madleen” u nis drejt Gazës nga Italia disa ditë më parë, por u kap nga Izraeli mëngjesin e sotëm, duke e penguar të arrijë në territorin palestinez.
Një burim ushtarak tha për “The Times of Israel” se anija e aktivistëve, që u ndalua gjatë natës nga marina izraelite, pritet të mbërrijë në port në orët në vijim.
Aktivistët e ndaluar, të cilët kanë tentuar të arrijnë në Rripin e Gazës, do t’i dorëzohen më pas policisë për deportim.