Aksion i madh policor në Stamboll: Arrestohen personat që po përgatitnin atentat ndaj liderit të tifozëve të Fenerbahçes

Aksion i madh policor në Stamboll: Arrestohen personat që po përgatitnin atentat ndaj liderit të tifozëve të Fenerbahçes

Në Stamboll janë arrestuar pesë persona të dyshuar se po përgatitnin një sulm ndaj Cem Gölbaşıt, liderit të tifozëve të Fenerbahçes. Tek ata janë gjetur një pushkë, pistoleta dhe 200 fishekë.

Hetimet po udhëhiqen nga Zyra për Hetimin e Krimit të Organizuar e Prokurorisë së Përgjithshme të Stambollit, raportojnë mediat turke Hürriyet dhe Sabah. Sipas tyre, sulmi ishte porositur nga grupi kriminal “Daltonlar”, ndërsa urdhri ishte dhënë nga Yusuf Can Güngör, i cili në grup përdor nofkën “Baron”.

Policia më 31 tetor, në lagjen Beyoğlu të Stambollit, arrestoi Ibrahim Ç., i cili sipas Hürriyet kishte ardhur nga Adana. Tek ai janë gjetur një pistoletë e paregjistruar, një pistoletë automatike dhe karikatorë të zgjatur.

Hetimet kanë treguar se Ibrahim Ç., së bashku me tre të dyshuar të tjerë nga Gaziantepi, kishte qëndruar në një shtëpi në lagjen Esenyurt. Bëhet fjalë për Cihan Can G., Abdulkadir D. dhe Orhan B.

I dyshuari i pestë, Çınar A., u arrestua më 1 nëntor në shtëpinë e tij. Dyshohet se ai e kishte furnizuar grupin me armë, ndërsa tek ai janë gjetur një pushkë e gjatë dhe 200 fishekë.

Sipas deklaratave të para të të dyshuarve, ata kishin hequr dorë nga sulmi sepse, siç kanë deklaruar, kushtet për realizimin e tij nuk ishin përmbushur.

Hetimet po vazhdojnë.

Kategoritë
BotaLajme