Real Madridi ka në akademinë e tij një sulmues 15-vjeçar, Mikel López, i cili javën e kaluar u shpall kampion bote me Spanjën në kategorinë U-15. Ai është 1.92 metra i gjatë dhe në katër sezone me klubin ka shënuar 148 gola, shkruan “Marca”.
López është qendërsulmues i ekipit kadet A të Real Madridit, ndërsa titullin e kampionit të botës U-15 e fitoi të premten e kaluar, së bashku me bashkëlojtarët e tij nga klubi, Alberto Ruiz dhe Adrián Bielsa. Në këtë kampionat ai shënoi gjashtë gola.
Gazeta spanjolle, për shkak të kombinimit të fuqisë fizike dhe efikasitetit të tij, e krahason me Erling Haalandin dhe thekson se Reali e konsideron atë si një nga talentet më të mëdha të akademisë së vet. Klubi ia vazhdoi kontratën në nëntor të vitit 2025, me qëllim që ta mbante larg klubeve të tjera që po e ndjekin.
Sipas “Marca”-s, testi i madh do të vijë në vitin 2027, kur López të mbushë 16 vjeç dhe të ketë të drejtë të nënshkruajë kontratën e tij të parë profesionale.
Më shumë se 100 gola në katër sezone
Ai iu bashkua Real Madridit nga Canillas dhe në sezonin e tij të parë, 2022/23, shënoi 30 gola. Një sezon më vonë realizoi 38 gola, ndërsa në sezonin 2024/25 ishte golashënuesi më i mirë i gjithë akademisë së Real Madridit me 43 gola, nga gjithsej 138 sa kishte realizuar skuadra e tij, e cila fitoi kampionatin.
Sezonin e kaluar ai shtoi edhe 37 gola të tjerë me ekipin kadet B.
Kufirin e 100 golave me fanellën e Real Madridit e kaloi në mars të vitit 2025, me një gol ndaj Fuenlabradës.
Ai luan edhe për përfaqësuesen U-16 të Spanjës, me të cilën debutoi në shtator në dy ndeshje miqësore kundër Italisë.
“Marca” thekson se López nuk është vetëm një sulmues i gjatë që dominon brenda zonës së rreptësisë, por edhe një lojtar i shpejtë, me teknikë të mirë dhe ndjenjë të zhvilluar për lojën, gjë që i mundëson të regjistrojë edhe shumë asistime.
Ai është veçanërisht i rrezikshëm në lojën me kokë.
