Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim shefen e re të Misionit të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) në Kosovë, Marian Benbow Pfisterer.
Gjatë takimit, Benbow Pfisterer i ka përcjellë Kurtit urimet e organizatës për formimin e Qeverisë së re dhe zgjedhjen e Presidentes.
Sipas njoftimit, Kurti dhe shefja e re e IOM-it kanë vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm dhe kanë shprehur gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të partneritetit.
Në takim është diskutuar edhe rëndësia e migrimit për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe për forcimin e lidhjeve me mërgatën.
“Për Kosovën, migrimi vazhdon të jetë motor për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për lidhjet e qëndrueshme me mërgatën”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, është theksuar rëndësia e bashkëpunimit me IOM-in në koordinimin e përpjekjeve me vendet e origjinës, tranzitit dhe destinacionit, me synim mbrojtjen e të drejtave të migrantëve dhe shfrytëzimin e njohurive e përvojave të tyre për zhvillimin e vendit.
Një tjetër temë e diskutimit ka qenë barazia gjinore dhe integrimi i grave në tregun e punës.
Me këtë rast, Kurti e ka informuar Benbow Pfisterer për lansimin e planifikuar të programit “Super Puna për Gratë”, përmes të cilit synohet të ofrohet mbështetje financiare për punësimin e grave në sektorin privat në Kosovë.
Kurti e ka përgëzuar shefen e re të IOM-it për marrjen e detyrës dhe e ka falënderuar organizatën për partneritetin e deritanishëm me Qeverinë e Kosovës.
