Klubi bullgar i futbollit CSKA Sofia është rikthyer në stadiumin e tij historik “Balgarska Armia”, i cili u hap zyrtarisht më 31 tetor 2026 pas një rikonstruksioni të gjerë.
Stadiumi i ri u inaugurua me derbin e kryeqytetit kundër Slavia Sofias, në kuadër të xhiros së 14-të të kampionatit bullgar. Ndeshja përfundoi pa gola.
Në rinovimin e stadiumit janë investuar rreth 45 milionë euro, apo afro 90 milionë leva bullgare. Stadiumi ka kapacitet prej 18.540 spektatorësh për ndeshjet vendore, ndërsa për ndeshjet evropiane kapaciteti është 16.819 ulëse, në përputhje me rregullat e UEFA-s.
Stadium sipas standardeve më të larta
Stadiumi plotëson kriteret e Kategorisë 4 të UEFA-s, duke mundësuar organizimin e ndeshjeve të rëndësishme të garave evropiane.
Tribunat janë të mbuluara, ndërsa pista e atletikës është hequr, duke i afruar tifozët më shumë me fushën.
Kompleksi përfshin gjithashtu muzeun e klubit, dyqane dhe hapësira gastronomike. Projekti është realizuar me pjesëmarrjen e klubit dhe shtetit bullgar, ndërsa mediat vendore e përshkruajnë atë si një nga stadiumet më moderne në Bullgari dhe Evropën Lindore.
Rikthimi në shtëpi pas gati tre vjetësh
CSKA rikthehet në stadiumin e vet pas gati tre vjetësh, gjatë të cilëve ndeshjet si vendas i zhvilloi në Stadiumin Kombëtar “Vasil Levski” në Sofje.
Stadiumi i vjetër u mbyll pas ndeshjes kundër Ludogorets më 10 dhjetor 2023, ndërsa rrënimi i tij filloi në maj të vitit 2024.
Klubi ka kaluar periudha të vështira financiare. Për shkak të borxheve, në vitin 2015 u përjashtua në ligën e tretë, por më pas u rikthye në elitën e futbollit bullgar.
Synimi është Liga e Kampionëve
CSKA e konsideron stadiumin e rinovuar si një nga themelet e projektit të tij afatgjatë sportiv.
Drejtuesit e klubit kanë deklaruar se synojnë ndërtimin e një skuadre të aftë për të luftuar për kualifikim në Ligën e Kampionëve, ndërsa stadiumi i ri pritet të ofrojë kushte më të mira për realizimin e këtyre ambicieve.
