Katër kandidatë, mes tyre edhe presidenti aktual Vladimir Putin, do të garojnë në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në Rusi në muajin mars
Katër kandidatë, mes tyre edhe presidenti aktual Vladimir Putin, do të garojnë në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në Rusi në muajin mars, transmeton Anadolu.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi u mblodh lidhur me axhendën e zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në vend në muajin mars. Kryetarja e Komisionit, Ella Pamfilova deklaroi se në garën zgjedhore do të marrin pjesë 4 kandidatë.
Në zgjedhjet presidenciale do të garojnë presidenti aktual Vladimir Putin, kryetari i Partisë Liberal Demokratike të Rusisë (LDPR) në Duma, Dhoma e Ulët e Parlamentit rus, Leonid Slutskiy, deputeti i propozuar nga Partia Komuniste (KPRF) Nikolay Kharitonov dhe nënkryetari i Partisë së Re Popullore, Vladislav Davankov.
Kandidaturat e Boris Nadejdin, kandidati i Partisë Iniciativa Civile, i cili kundërshton luftën si dhe kandidati i Partisë së Komunistëve Ruse, Sergej Malenkoviç, politikanit Anatoliy Batashev dhe blogeres ruse Rada Russkih, u refuzuan me arsyetimin se u zbuluan gabime në nënshkrimet që ata dorëzuan në komision.
-Zgjedhjet presidenciale
Këshilli i Federatës, Dhoma e Lartë e Parlamentit rus vendosi në dhjetor 2023 që zgjedhjet presidenciale të mbahen më 15-17 mars 2024. Presidenti rus Putin njoftoi se do të ishte kandidat në zgjedhje dhe i dërgoi një njoftim Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Putin, i cili do të marrë pjesë në garën zgjedhore si kandidat i pavarur, do të mbështetet në fushatën zgjedhore nga Partia “Rusia e Bashkuar” në Duma, Dhoma e Ulët e Parlamentit rus.
Zgjedhjet e mëparshme presidenciale në Rusi u mbajtën më 18 mars 2018 dhe Putin u zgjodh president me 76.69 për qind të votave.