NATO-ja është e gatshme të mbrojë territorin e saj, tha shefi i aleancës, duke e akuzuar Moskën se po përpiqet të tërheqë vëmendjen nga lufta në Ukrainë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, hodhi poshtë të mërkurën paralajmërimet bërthamore të Rusisë lidhur me Kaliningradin, duke thënë se Moska nuk mund të fitojë një përballje me aleancën, raporton Anadolu.
Duke folur në Samitin e Euronews për Mbrojtjen dhe Hapësirën në Bruksel, Rutte tha se NATO-ja është e gatshme të mbrojë territorin e saj.
“Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s. Ky kërcënim nuk ekziston dhe, nëse ndodh diçka, ne jemi të gatshëm t’i kundërpërgjigjemi”, tha ai.
Komentet e tij erdhën pas raportimeve se Rusia, në një letër, ka paralajmëruar NATO-n kundër çdo përpjekjeje për të izoluar Kaliningradin, enklavën e saj perëndimore mes Polonisë dhe Lituanisë, duke thënë se është e gatshme të përdor gjithë arsenalin e saj, përfshirë armët bërthamore.
Rutte nuk pranoi të konfirmojë përmbajtjen e letrës së raportuar, por hodhi poshtë pretendimin për një kërcënim të afërt bërthamor ndaj vendeve baltike.
“Ne jemi një aleancë mbrojtëse. Mjaft me kërcënimin bërthamor. Kjo është absolutisht e panevojshme dhe nuk ndihmon aspak. Dhe, veçanërisht, mjaft me luftën në Ukrainë, e cila është një luftë agresioni e paprovokuar kundër Ukrainës”, tha ai.
Rutte tha gjithashtu se presidenti rus Vladimir Putin nuk mund ta mposhtë NATO-n. “Të gjithë e dinë se ai nuk mund ta fitojë kurrë një luftë kundër NATO-s. Unë nuk e marr seriozisht këtë”, shtoi ai.
– Roli i Evropës në mbrojtje
Rutte tha se Rusia po pëson humbje të mëdha në Ukrainë dhe pretendoi se 43.000 trupa po vriten ose plagosen rëndë çdo muaj.
Ai tha se Moska po përpiqet të përçajë aleatët e NATO-s dhe të largojë vëmendjen nga fusha e betejës.
“Nëse është e nevojshme, sigurisht që do të mbrohemi. Por gjëja më e rëndësishme është se e gjithë kjo po ndodh sepse lufta nuk po shkon mirë për të në Ukrainë. Ai dëshiron të na përçajë. Ai dëshiron që ta humbasim vëmendjen kur bëhet fjalë për Ukrainën”, tha Rutte.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha gjithashtu se Evropa duhet të bëhet më e aftë për t’u përballur me kërcënimet e sigurisë pa u mbështetur kaq shumë te Uashingtoni.
“Pse po e bëjnë amerikanët këtë, duke neutralizuar kapacitetin bërthamor të Iranit? Sepse ne nuk mundemi. Por në të ardhmen, duhet të sigurohemi që si evropianë të mund ta bëjmë këtë vetë”, tha ai.
Rutte tha se rritja e shpenzimeve evropiane për mbrojtjen duhet t’i mundësojë përfundimisht kontinentit të marrë më shumë përgjegjësi, duke ruajtur angazhimin e SHBA-së në NATO.
“Megjithatë, SHBA-ja të mbetet e përfshirë jo vetëm në aspektin bërthamor, por edhe në atë konvencional, ndërsa evropianët të marrin shumë, shumë më tepër përgjegjësi për mbrojtjen e kësaj pjese të NATO-s”, tha ai.
