NATO miraton dërgimin e forcave shtesë në Kosovë

NATO miraton dërgimin e forcave shtesë në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg njoftoi se kanë miratuar dërgimin e forcave shtesë për Forcat Paqësore të KFOR-it në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg njoftoi se kanë miratuar dërgimin e forcave shtesë për Forcat Paqësore të KFOR-it në Kosovë, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim lidhur me situatën e përgjithshme në Kosovë, Stoltenberg vuri në dukje se organi vendimmarrës i NATO-s, Këshilli i Atlantikut të Veriut ka diskutuar sot për situatën në Kosovë.

Duke nënvizuar praninë e KFOR-it në Kosovë, Stoltenberg tha: “Do të ndërmarrim të gjitha aktivitetet e nevojshme me qëllim për të siguruar një mjedis të sigurt për njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe për vazhdimin e lirisë të veprimit. Këtë do ta bëjmë në mënyrë të paanshme dhe me kompetencën që kemi marrë nga OKB-ja”.

“Që nga maji kur u rritën tensionet kemi rritur praninë e KFOR-it”, tha Stoltenberg i cili shtoi më tej se kundër situatës aktuale Këshilli i Atlantikut të Veriut ka dhënë dje kompetencë për sigurimin e forcave shtesë. “Do të vazhdojmë të sigurojmë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm që Komanda jonë të përdorë kompetencën e KFOR-it. Nëse do të jetë e nevojshme jemi të gatshëm të bëjmë rregullime për vendosjen e KFOR-it”, deklaroi Stoltenberg.

Duke përsëritur thirrjen e tij ndaj palëve për uljen e tensioneve në Kosovë, Stoltenberg bëri të ditur se Beogradi dhe Prishtina duhet të zhvillojnë procesin e dialogut nën lehtësimin e BE-së për të zgjidhur problemet mes tyre.

Tensionet të cilat vazhdojnë prej muajsh në veri të Kosovë, u përshkallëzua sërish pasi mëngjesin e 24 shtatorit një polic humbi jetën si pasojë e hapjes së zjarrit nga serbët e armatosur të cilët mbyllën rrugën në Banjskë ku jetojnë kryesisht serbët.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi se një grup i armatosur rëndë prej rreth 30 personash, të cilët i cilësoi si “strukturë profesionale terroriste/kriminale” sulmuan policinë e Kosovës dhe për këtë mbajti përgjegjës Serbinë.

Grupi i armatosur i strehuar në manastirin e Banjskës dhe përreth tij, u rrethua nga policia e Kosovës dhe në zonë vazhduan përleshjet gjatë ditës.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla njoftoi se në operacionin e ndërmarrë në Banjskë u vranë 4 agresorë si dhe u arrestuan 6 persona të tjerë prej të cilëve 2 agresorë dhe 4 persona që mbështetën sulmin me lidhjet e radio marrësve.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq konfirmoi se ngjarja që rezultoi me vrasjen e një polici të Kosovës është kryer nga serbët e Kosovës.

Kategoritë
BotaLajmeVendi
Reklamë: ABE Kosova