Ministrja suedeze: Aktivistët mbajnë përgjegjësi, nuk ka nevojë për mbështetje konsullore

Ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë, Maria Malmer Stenergard, është prononcuar lidhur me statusin e shtetases suedeze Greta Thunberg dhe 11 aktivistëve të tjerë që ndodheshin në bordin e anijes humanitare “Madleen”.

Kujtojmë se rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm, ushtria izraelite mori kontrollin e anijes “Madleen”, ekuipazhi i së cilës ishte nisur drejt Rripit të Gazës për të dërguar ndihma humanitare. Anëtarët e ekuipazhit u ndaluan në mënyrë të paligjshme dhe u dërguan në paraburgim në Izrael.

Në komentet e përcjella nga mediat suedeze, ministrja Stenergard theksoi se qeveria suedeze prej kohësh ka këshilluar kundër udhëtimeve në Gazë dhe se aktivistët mbajnë “përgjegjësi të qartë personale”.

“Vlerësimi aktual i qeverisë është se aktivistët nuk janë në rrezik dhe se nuk ka nevojë për mbështetje konsullore,” shtoi ajo.

Ndërkohë, aktivistja suedeze Greta Thunberg kishte regjistruar një video përpara arrestimit të saj:

“Unë jam nga Suedia. Nëse po e shihni këtë video, forcat izraelite të okupimit na kanë ndalur dhe rrëmbyer në ujërat ndërkombëtare… I bëj thirrje të gjithë miqve, familjes dhe shokëve të mi të ushtrojnë presion ndaj qeverisë suedeze që të na lirojë sa më parë,” u shpreh Thunberg.

Kategoritë
BotaLajme