Ministri i Mbrojtjes së Bosnjë e Hercegovinës, Zukan Helez (nga partia SDP BiH), i ka kërkuar falje administratës amerikane për deklaratat e tij që njoftonin bashkëpunim të mundshëm ushtarak me Iranin, pas kritikave të forta nga SHBA.
“E kuptoj plotësisht reagimin e Ambasadës së SHBA-së në BiH dhe interesimin e opinionit publik. Shpreh keqardhje dhe kërkoj ndjesë ndaj partnerëve tanë strategjikë për mënyrën se si përmbajtja e takimit u përcoll në publik”, thuhet në deklaratën zyrtare të Helezi-t.
Takimi me atasheun ushtarak iranian
Më 21 maj në Sarajevë, gjatë një takimi me atasheun ushtarak të Iranit, brigadierin Mahmoud Mohaghagh Pour, Helez kishte deklaruar se BiH “nuk do ta harrojë kurrë ndihmën që Irani i dha gjatë luftës” dhe se mes dy vendeve mund të ketë bashkëpunim në zhvillimin e industrisë ushtarake.
Reagimi i ashpër i SHBA-së
Pas kësaj deklarate, SHBA kërcënoi me ndërprerje të bashkëpunimit dhe vendosje sanksionesh ndaj Helezi-t, duke e cilësuar Iranin si shtet që mbështet terrorizmin dhe që ndikon negativisht në rajonet ku vepron, përfshirë edhe Ballkanin.
Mohimi i bashkëpunimit
Në reagimin e tij, Helez mohoi çdo formë bashkëpunimi ushtarak me Iranin, duke theksuar se:
“Ministria e Mbrojtjes e BiH mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe orientimit tonë euroatlantik. Nuk do të ndërmarrim asnjë veprim që do ta vinte në dyshim këtë orientim.”
Ai e përshkroi reagimin e SHBA-së si një akt miqësor dhe dashamirës, që dëshmon rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve.