Komisionerja e Bashkimit Evropian (BE) për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi sot se Maqedonia e Veriut ka përmirësuar nivelin e përgatitjes për anëtarësim në BE, por duhet të zbatojë ndryshimet kushtetuese të dakorduara dhe t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë për të vazhduar negociatat e anëtarësimit.
“Maqedonia e Veriut ka përmirësuar gatishmërinë e saj për anëtarësim në BE dhe është ndër vendet kandidate me nivelin më të lartë të përafrimit me legjislacionin evropian. Megjithatë, për të zhbllokuar negociatat e anëtarësimit dhe për të hapur grupkapitullin e parë ‘Themeloret’, është e nevojshme të miratohen ndryshimet kushtetuese të dakorduara në vitin 2022, të cilat parashohin përfshirjen e pakicave në Kushtetutë”, deklaroi Kos në Bruksel.
Gjatë konferencës për media në Bruksel, me rastin e prezantimit të Paketës së Zgjerimit për vitin 2026, komisionerja për Zgjerim theksoi se, pa përmbushjen e këtij kushti, Komisioni Evropian nuk mund t’i propozojë Këshillit të BE-së kornizën negociuese.
Ajo vlerësoi se Maqedonia e Veriut ka dëshmuar përkushtim ndaj reformave dhe agjendës reformuese, të cilën Komisioni Evropian do të vazhdojë ta mbështesë në rrugën drejt integrimit evropian.
“Qëllimi ynë mbetet hapja e grupkapitullit të parë sapo të përmbushen kushtet”, deklaroi Marta Kos, transmeton agjencia e lajmeve MIA.
Komisionerja vlerësoi gjithashtu se Maqedonia e Veriut kohët e fundit ka përshpejtuar reformat në kuadër të Planit të Rritjes dhe po bën përpjekje të konsiderueshme për të përmirësuar gatishmërinë e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Megjithatë, pritet përparim i mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit dhe në zbatimin e reformës së administratës publike”, theksoi komisionerja evropiane për Zgjerim.
Mosmarrëveshja me Bullgarinë vazhdon të bllokojë negociatat
Negociatat e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian mbeten të bllokuara për shkak të mosmarrëveshjes dypalëshe me Bullgarinë, e cila është bërë pjesë e Kornizës Negociuese.
Shkupi, në korrik të vitit 2022, nisi “fazën e parë” të negociatave me BE-në përmes miratimit të Kornizës Negociuese.
Megjithatë, për të kaluar në “fazën e dytë” dhe për të filluar hapjen e kapitujve negociues, Maqedonia e Veriut duhet t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë.
Qeveria e kryeministrit Hristijan Mickoski, nga ana tjetër, kërkon garanci se ky do të jetë kushti i fundit dypalësh në procesin e negociatave të anëtarësimit.
Si alternativë, qeveria kërkon që ndryshimet kushtetuese të hyjnë në fuqi vetëm pasi Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian.
Për shkak të kësaj mosmarrëveshjeje, procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut vazhdon të mbetet i bllokuar.
