Hungaria ka hapur për publikun dosjet e policisë sekrete të periudhës komuniste, duke nxitur debate të shumta. Qeveria pretendon se ky veprim do ta ndihmojë shoqërinë hungareze të përballet me traumat e 45 viteve të sundimit komunist dhe t’i tejkalojë ato, raporton BBC.
Kritikët konsiderojnë se vendimi është marrë shumë vonë, se vetë dosjet janë të paplota dhe se publikimi i tyre mund të thellojë përçarjet në shoqëri, si dhe të shkaktojë vuajtje të panevojshme për familjarët e personave të përfshirë.
Data e hapjes së dosjeve ka një domethënie simbolike. Më 4 nëntor 1956, tanket sovjetike hynë në Budapest dhe në qytete të tjera për të shtypur revolucionin jetëshkurtër hungarez.
Kryeministri hungarez, Péter Magyar, e ka mbrojtur këtë vendim, i cili ishte një nga premtimet kryesore të fushatës së tij zgjedhore përpara fitores bindëse në zgjedhjet e prillit.
Sipas Magyar, ky veprim përfaqëson përmbushjen e një premtimi të dhënë në vitin 1989 nga ata që rrëzuan Partinë Komuniste në Hungari.
Që nga viti 1998, qytetarët kanë pasur mundësinë të paraqesin kërkesa për të shqyrtuar dosjet e tyre personale, ndërsa historianët mund të hulumtonin dosjet e personave të tjerë. Megjithatë, shumë emra ishin të mbuluar, ndërsa një numër i madh dosjesh ishin mbajtur nga shërbimet sekrete të periudhës postkomuniste për përdorim të brendshëm.
Gjatë 36 viteve të fundit, shpesh ka pasur rrjedhje të informacioneve nga këto dosje, ndërsa qeveritë e njëpasnjëshme janë përpjekur t’i përdorin ato për të dëmtuar kundërshtarët e tyre politikë.
Shumë dosje u shkatërruan ose u grisën gjatë viteve 1988 dhe 1989, kur Partia Komuniste po humbiste kontrollin mbi pushtetin.
Publikohen të dhënat e rreth 60 mijë personave
Nga e mërkura, në faqen e internetit nyitottaktak.hu janë bërë të qasshme emrat dhe të dhënat personale të rreth 60 mijë personave që ishin rekrutuar nga shërbimet sekrete gjatë periudhës komuniste.
Fillimisht janë publikuar të ashtuquajturat kartela të formularit nr. 6, të cilat përmbajnë të dhëna të plota për personat e përfshirë.
Ndërkohë, të ashtuquajturat dosje B, të cilat përshkruajnë në detaje procesin e rekrutimit, do të publikohen në shkurt të vitit të ardhshëm.
Sipas BBC-së, një regjistër tipik përmban emrin e vërtetë të informatorit, emrin e tij të koduar, datën e lindjes, adresën dhe emrin e nënës.
Në dokumente përfshihet gjithashtu motivi i rekrutimit, përkatësisht nëse personi kishte pranuar të bashkëpunonte vullnetarisht apo ishte detyruar përmes shantazhit ose presionit.
Po ashtu, në dosje figuron edhe emri i oficerit të shërbimit sekret që ishte përgjegjës për informatorin.
Një paketë shtesë dokumentesh, e njohur si “Dosjet B”, aktualisht është duke u digjitalizuar dhe do të jetë e qasshme më 25 shkurt 2027.
Këto dokumente do të përmbajnë shumë më tepër hollësi rreth procesit të rekrutimit, si dhe informacione për rëndësinë ose mungesën e rëndësisë së të dhënave që informatorët u kishin dorëzuar shërbimeve sekrete.
Kritikët paralajmërojnë për gjykime të nxituara
Pikërisht kjo është një nga shqetësimet kryesore të kritikëve të vendimit për hapjen e dosjeve.
Ata paralajmërojnë se qytetarët mund të nxjerrin përfundime të nxituara për personat, emrat e të cilëve shfaqen në dokumente, pa qenë të gatshëm të kuptojnë të gjitha rrethanat dhe ndërlikimet që i kishin shtyrë ata të bashkëpunonin me shërbimet sekrete.
Sipas kritikëve, publikimi i emrave pa një shqyrtim të plotë të rrethanave mund të shkaktojë padrejtësi dhe të thellojë përçarjet në shoqërinë hungareze.
Deri në 160 mijë informatorë gjatë periudhës komuniste
Vlerësohet se në Hungari, nga dhjetori i vitit 1944 deri në shkurt të vitit 1990, shërbimet sekrete rekrutuan rreth 150 mijë deri në 160 mijë informatorë.
Shumë prej tyre ishin detyruar të bashkëpunonin përmes shantazheve dhe kërcënimeve të ndryshme.
Disa kërcënoheshin se do të humbnin vendin e punës ose mundësinë për t’u shkolluar, ndërsa të tjerëve u bëhej presion duke i kërcënuar se do t’u mohohej qasja në barna.
Në raste të tjera, personat shantazhoheshin me publikimin e informacioneve për jetën e tyre seksuale ose për varësitë personale.
Këto të dhëna intime dhe të ndjeshme do të hiqen me kujdes nga dokumentet që po bëhen publike.
Hapja e dosjeve të periudhës komuniste konsiderohet nga qeveria si një hap i rëndësishëm drejt përballjes me të kaluarën, ndërsa kritikët paralajmërojnë se mënyra e publikimit të tyre mund të sjellë pasoja të reja për shoqërinë dhe familjet e personave të përfshirë.
