Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Izraelit ka konfirmuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare dhe ka hedhur poshtë pretendimet e partisë Likud të Benjamin Netanyahut për “zgjedhje të vjedhura”. Asnjëri prej blloqeve politike nuk ka siguruar shumicën prej 61 mandatesh, ndërsa rezultatet i janë dorëzuar presidentit Isaac Herzog.
Sipas raportimeve të Ynet dhe Al Jazeera, Komisioni ka shqyrtuar procesverbalet nga 9.069 qendra votimi dhe nuk ka konstatuar parregullsi që mund të cenonin integritetin e zgjedhjeve apo të ndryshonin rezultatet.
“Çdo ankesë e pranuar është shqyrtuar individualisht”, deklaroi ushtruesi i detyrës së drejtorit të Komisionit, Dean Livne.
Sipas rezultateve përfundimtare, blloku i kryeministrit Benjamin Netanyahu ka fituar 53 mandate, blloku opozitar i Gadi Eisenkotit 48 mandate, ndërsa partitë arabe Ra’am dhe Lista e Përbashkët kanë siguruar së bashku një numër rekord prej 19 mandatesh.
Për të formuar shumicën në Knesset, parlamentin izraelit me 120 deputetë, nevojiten të paktën 61 mandate.
Likud: Zgjedhjet janë vjedhur
Netanyahu dhe aleatët e tij pretendojnë, pa paraqitur prova, se partitë arabe kanë “vjedhur” zgjedhjet, ndoshta edhe me ndihmën e shteteve të huaja.
Në kryesinë e Komisionit, përfaqësuesit e Likud dhe Shas abstenuan, ndërsa vendimi u miratua falë votës së kryesuesit, gjyqtarit të Gjykatës Supreme, Noam Sohlberg.
Në mbledhjen plenare, 15 anëtarë votuan për konfirmimin e rezultateve, 14 abstenuan dhe dy votuan kundër.
Deputeti i Likud, Amit Halevi, dha dorëheqje nga pozita e tij në Komision, duke pretenduar se ky institucion nuk kishte kompetencë t’i konfirmonte rezultatet pa u sqaruar më parë dyshimet për ndërhyrje të huaja.
Partia Otzma Yehudit e ministrit Itamar Ben-Gvir votoi kundër vendimit.
“Zgjedhjet janë manipuluar, rezultatet janë të falsifikuara dhe shtete të huaja kanë ndërhyrë”, deklaruan përfaqësuesit e kësaj partie.
Shërbimi izraelit i sigurisë, Shin Bet, e informoi Komisionin se të dhënat e inteligjencës tregonin për financime të gjera nga jashtë dhe operacione ndikimi.
Shefi i Shin Bet, David Zini, kërkoi marrjen në pyetje të disa politikanëve arabë, përfshirë Mansour Abbas dhe Ahmad Tibi.
Megjithatë, sipas Al Jazeera, Zini nuk u paraqiti prokurorëve prova për tre prej politikanëve të përmendur.
Prokurorja e Përgjithshme e Izraelit, Gali Baharav-Miara, e kritikoi ashpër Zin-in për këtë veprim.
“Asgjë nga këto nuk e vë në dyshim procesin zgjedhor në tërësi”, deklaroi Sohlberg.
Çfarë pritet të ndodhë?
Presidenti Isaac Herzog do të nisë konsultimet dyditore me përfaqësuesit e partive politike, pas të cilave do të vendosë se kujt do t’ia besojë mandatin për formimin e qeverisë së re.
Fillimisht, Herzog do të presë përfaqësuesit e partive më të vogla, ndërsa partia Yashar e Eisenkotit dhe Likud pritet të zhvillojnë konsultimet të fundit, të enjten.
Si zgjidhje të mundshme përmenden formimi i një qeverie të unitetit kombëtar ose një koalicion mes Eisenkotit dhe partive arabe.
Nëse asnjëra prej këtyre mundësive nuk realizohet, Izraeli mund të shkojë në zgjedhje të reja në fillim të vitit 2027.
Ndërkohë, lideri opozitar Yair Lapid ka deklaruar se fitorja e demokratëve në zgjedhjet për Kongresin amerikan e përjashton mundësinë e formimit të një qeverie uniteti nën drejtimin e Netanyahut.
“Izraeli nuk mund të lejojë që ai të mbetet kryeministër”, shkroi Lapid.
