Rreth 700 pjesëtarë të Korpusit të Marinës së SHBA-së do të vendosen përkohësisht në Los Anxhelos, ka konfirmuar një zyrtar i lartë amerikan për agjencinë Reuters.
Ky vendim vjen në një kohë të protestave të shtuara në vend, megjithëse nuk pritet të aktivizohet i ashtuquajturi “Ligji për Kryengritje” (Insurrection Act), i cili do t’i lejonte ushtrisë të merrte kompetenca policore brenda territorit amerikan.
Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së njoftoi të dielën se “rreth 500 marinsa nga batalioni i 2-të, njësia e 7-të e marinës nga baza Twentynine Palms në Kaliforni janë në gjendje gatishmërie, në rast se kërkohet mbështetje për mbrojtjen e pronës dhe personelit federal”.
Megjithëse ushtria amerikane nuk ka të drejtë ligjore të kryejë detyra të sigurisë së brendshme pa një vendim të posaçëm ligjor, ajo angazhohet shpesh në kriza të mëdha kombëtare – nga ndihma në fatkeqësi natyrore, tek gjendjet emergjente shëndetësore e deri te mbështetja në kufi. Gjatë pandemisë COVID-19, për shembull, ushtria kishte ngritur spitale të përkohshme në mbarë vendin.
Zyrtari që foli për Reutersin, duke kërkuar të mbetet anonim, tha se situata aktuale është “në zhvillim” dhe se zhvillimet po monitorohen nga afër.
Gazetarët e pyetën presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë nëse planifikon të dërgojë marinsa në rrugët e Los Anxhelosit. Ai u përgjigj: “Do të shohim çfarë do të ndodhë. Mendoj se situatën e kemi nën kontroll mjaft mirë.”
Kalifornia paralajmëron padi kundër Trumpit
Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, deklaroi se shteti federal i Kalifornisë së shpejti do të paraqesë një padi kundër administratës së Donald Trumpit për dërgimin e pjesëtarëve të Gardës Kombëtare në Los Anxhelos gjatë protestave që shpërthyen pas bastisjeve të imigracionit.
“Jemi pranë formalizimit të kësaj procedure,” tha Bonta gjatë një konference për media.
Kur u pyet nga gazetarët në lidhje me spekulimet se Trump mund të urdhërojë arrestimin e guvernatorit Gavin Newsom, Bonta u përgjigj: “Nuk e shoh si një mundësi reale. Kjo është edhe një herë retorikë boshe, kërcënime dhe blof. Ky është qasja e tyre e zakonshme.”
Zyra e tij më parë kishte publikuar një deklaratë ku akuzohej Trumpi për “krijim të kaosit dhe krizave për qëllime të tij politike”.