Lirohet nga akuzat ish-ministri Todosijeviq që e quajti trillim Masakrën e Reçakut

Lirohet nga akuzat ish-ministri Todosijeviq që e quajti trillim Masakrën e Reçakut

Todosijeviq, lirimin e të cilit e konfirmoi për AA avokati i tij Nebojsha Vlajiq, ishte dënuar në vitin 2019 për “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”

Gjykata Supreme ka liruar nga akuzat ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq i cili ishte dënuar me dy vjet burgim më 5 dhjetor të vitit 2019, raporton Anadolu.

Todosijeviq, lirimin e të cilit e konfirmoi për AA avokati i tij Nebojsha Vlajiq, ishte dënuar në vitin 2019 për “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, por që nuk e ka vuajtur dënimin me burg për shkak të kërkesës së vazhdueshme që ka bërë që ekzekutimi i dënimit të tij të shtyhet.

Me një kërkesë të tillë, vuajtja e dënimit ishte pezulluar “deri në një vendim në lidhje me kërkesën e tij”.

Todosijeviq është shpallur fajtor për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët të cilët i ka quajtur terroristë dhe masakrën e Reçakut si trillim.

Avokati Vlajiq, kishte thënë se “mbrojtja do të apelojë një dënim të tillë jo vetëm në Gjykatën e Apelit, por edhe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nëse është e nevojshme”.

Në korrik të vitit 2019, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit Todosijeviq për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes. Ai ishte zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit 2019.

Kategoritë
LajmeVendi
Reklamë: ABE Kosova