Ai tha se Kosova tani duhet të ndërmerrë një fushatë të përbashkët sa i përket diplomacisë publike.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se do të ketë përpjekje nga Serbia dhe Rusia që ta përdorin kundër Kosovës aktvendimin dënues të Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Ksoovës (UÇK), porse një gjë të tillë nuk do ta kenë të lehtë.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë sot, Kurti tha se vetë aktgjykimi i Gjykatës Speciale e ka hedhur poshtë të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” dhe trafikimin e organeve, si dhe akuzën për krime kundër njerëzimit.
Ai tha se Kosova tani duhet të ndërmerrë një fushatë të përbashkët sa i përket diplomacisë publike.
“Sepse, natyrisht që do të ketë përpjekje nga Serbia dhe Rusia që aktgjykimi i Dhomave të Specializuara të përdoret kundër Republikës së Kosovës. Ndonëse është e qartë se nuk e kanë kollaj siç kanë menduar për shkak se e para; e ashtuquajtura ‘Shtëpi e Verdhë’ dhe i ashtuaquajturi trafikim i organeve nuk ia arriti as te aktakuza se lëre më te aktgjykimi. Kjo është edhe si rezultat i raportit të Williamsonit ku natyrisht thuhet që nuk ka ‘Shtëpi të Verdhë’ e as trafikim të organeve”, tha Kurti.
Ai tha se çfarë ka ndodhur në aktgjykimin e Gjykatës Speciale në kontrast me raportin e Clint Williamsonit është edhe fakti që aktgjykimi ka thënë se nuk ka pasur krime kundër njerëzimit dhe as dhunë, përndjekje sistematike të gjerë ndaj popullsisë civile.
“Pra UÇK-ja s’ka bërë diçka të tillë”, shtoi Kurti.
Clint Williamson është prokuror amerikan i cili udhëhoqi Task Forcën Hetimore Speciale të Bashkimit Evropian, e cila kishte për detyrë të hetonte pretendimet e bujshme të raportit të Dick Martyt të vitit 2010 për trafikim organesh nga UÇK-ja në të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Shqipëri.
Gjykata Speciale më 16 shtator dënoi me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e UÇK-së u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Kundër këtij vendimi janë mbajtur çdo ditë protesta në Kosovë por edhe në vende të ndryshme të botës ku jetojnë shqiptarët. Më 28 shtator Kuvendi i Kosovës miratoi një Deklaratë me anë të së cilës konsiderohet i papranueshëm konstatimi për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal nga të katër të dënuarit nga shkalla e parë.
Krahas kësaj, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar të miratohen ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ku mes tjerash parashihet të kufizohet mandati i kësaj gjykate.
PDK-ja e ka kushtëzuar miratimin e këtyre ndryshimeve ligjore me mbështetjen e saj për presidentin e ri të vendit, të cilin Lëvizja Vetëvendosje si partia më e madhe në Kuvend nuk mund ta votojë pa mbështetjen edhe të votave të deputetëve të opozitës, ndërkohë që presidenti duhet të votohet deri më 6 qershor ose vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje të reja.

