Shkolla në Srebrenicë dyshohet se kërcënoi me masa ndëshkuese nxënësit për fanellat e kombëtares së Bosnjës

Shkolla në Srebrenicë dyshohet se kërcënoi me masa ndëshkuese nxënësit për fanellat e kombëtares së Bosnjës

Nxënësit u paralajmëruan se mund të përballen me masa ndëshkuese, përfshirë uljen e notës së sjelljes.

Një shkollë në Srebrenicë dyshohet se kërcënoi nxënësit me masa ndëshkuese për veshjen e fanellave të Kombëtares së Bosnjë e Hercegovinës, raportoi gazeta “Dnevni Avaz”, transmeton Anadolu.

Sipas prindërve, Institucioni Publik “Qendra e Shkollës së Mesme Srebrenicë” i shpalli fanellat e kombëtares së Bosnjë e Hercegovinës fyese, ndërsa nxënësit u paralajmëruan se mund të përballen me masa ndëshkuese, përfshirë uljen e notës së sjelljes.

Sanja Moçeviq, drejtoreshë e Qendrës në entitetin Republika Sërpska të Bosnjë e Hercegovinës, raportohet se u tha nxënësve që në të ardhmen të mos vijnë në shkollë me fanellat e kombëtares së Bosnjë e Hercegovinës.

Presidenti i Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit, Murat Tahiroviq reagoi ndaj rastit dhe kërkoi sqarim për vendimin.

“Nëse është e vërtetë se nxënëses së Qendrës së Shkollës së Mesme Srebrenicë i është tërhequr vërejtja sepse erdhi në shkollë me fanellën e ekipit kombëtar të futbollit të Bosnjë e Hercegovinës dhe se më pas nxënësit janë kërcënuar me masa ndëshkuese për veshjen e një fanellë të tillë, atëherë ky është veprim thellësisht shqetësues dhe i papranueshëm”, tha ai.

Tahiroviq kërkoi shpjegim publik të rregullave mbi bazën e të cilave fanella e kombëtares u shpall e papranueshme. Ai u bëri thirrje autoriteteve arsimore të Republikës Sërpska dhe Bosnjë e Hercegovinës që ta hetojnë urgjentisht rastin dhe t’i mbrojnë nxënësit nga diskriminimi dhe poshtërimi.

“Srebrenica është vendi i gjenocidit, por nuk duhet të jetë vendi ku fëmijëve u mësohet se Bosnjë e Hercegovina është e padëshirueshme”, shtoi Tahiroviq.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjë e Hercegovinës morën nën kontroll zonën e sigurt të Srebrenicës, të shpallur nga OKB-ja dhe vranë sistematikisht 8.372 burra dhe djem boshnjakë, në atë që gjykatat ndërkombëtare, përfshirë Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, e kanë njohur si gjenocid.

Kategoritë
LajmeRajoni
Reklamë: ABE Kosova