Sot në Granada të Spanjës po mbahet samiti i liderëve evropianë dhe në të do të marrin pjesë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
British The Guardian, duke iu referuar burimeve, ka bërë të ditur se lideri evropian po tenton të organizojë një takim mes Osmanit dhe Vuçiqit.
“Vuçiq dhe Osmani do të marrin pjesë në samitin e liderëve evropianë në Granada të Spanjës dhe burimet thonë se ata po përpiqen të akomodohen në të njëjtën dhomë pavarësisht armiqësisë politike mes dy vendeve”, raportojnë mediat britanike.
Ndërkohë, kancelari gjerman Olaf Scholz bëri thirrje të mërkurën për një zgjidhje paqësore të situatës në veri të Kosovës.
“Për mua është shumë e rëndësishme që situata të mos përshkallëzohet më tej kur bëhet fjalë për Serbinë dhe Kosovën. Ne duam një zgjidhje paqësore dhe jemi shumë të përkushtuar për këtë së bashku me Francën dhe Italinë,” tha Scholz në një konferencë të përbashkët me Bullgarinë.
Ai shtoi se çështja do të diskutohet të enjten dhe të premten kur liderët e pothuajse 50 vendeve evropiane do të takohen në Granada të Spanjës.
Gjatë ditës, një zëdhënëse e ministrisë së jashtme gjermane e quajti tërheqjen e trupave serbe nga kufiri me Kosovën “një hap të rëndësishëm”, por i kërkoi Beogradit të bëjë më shumë për të de-përshkallëzuar tensionet me Kosovën.
Duke folur për mediat në Berlin, Kathrin Deschauer tha se situata në rajon është mjaft shqetësuese pas raundit të fundit të dhunës vdekjeprurëse në veri të Kosovës.
“Serbia e ka obligim që pa mëdyshje të bëjë thirrje për ndërprerjen e dhunës. Në përgjithësi, situata është e tensionuar. Shenjat e para të reduktimit të forcave serbe janë një hap i rëndësishëm drejt deeskalimit. Pavarësisht kësaj, ne duam të theksojmë përsëri se hapat e mëtejshëm duhet të bëhen marrë tani”, tha ajo.
Ministri gjerman i Bujqësisë, Cem Ozdemir, gjatë vizitës së tij në Kosovë, ka thënë se reagimi i institucioneve të Kosovës është përgjegjës dhe pa mëdyshje sulmin ku mbeti i vrarë një polic e quajti terrorizëm.














